MENU
klinika

Analiza

A po fiton Rusia nga humbja e Francës në Nigeri?

02.08.2023 - 09:30

Franca po përgatitet t’i evakuojë qytetarët e saj nga Nigeri pas grushtshtetit në këtë vend të Afrikës Perëndimore më 26 korrik. Ambasada franceze në Niamey – kryeqyteti i Nigerit – tha në një deklaratë se evakuimi ajror “do të bëhet shumë shpejt dhe për një periudhë shumë të shkurtër kohore”.

Grushtshteti i javës së kaluar, në të cilin gjenerali Abdourahamane Tchiani i gardës elitare presidenciale mori pushtetin nga presidenti Mohamed Bazoum, janë mes trazirash të fundit në një rajon që është destabilizuar në mënyrë të rrezikshme në tri vitet e fundit. Ka pasur grushtshtet në Mali dhe Burkina Faso, të cilat, si Nigeri, ishin ish-koloni franceze, por janë kthyer kundër padronit të tij të dikurshëm.

Pati demonstrata të dielën në Niamey në të cilat u valëvitën flamujt rusë dhe u dogjën flamujt francezë, dhe disa protestues u mblodhën jashtë ambasadës franceze. Një numër i vogël u përpoq të hynte në kompleks, por u zmbraps nga gazi lotsjellës. Presidenti Macron më pas e paralajmëroi gjeneralin Tchiani se përgjigja e tij do të jetë ‘e menjëhershme dhe pa kompromis’ nëse qytetarët francezë në Niger do të dëmtoheshin.

Të hënën, junta ushtarake tha se rojet e sigurisë së ambasadës kishin plagosur gjashtë protestues gjatë demonstratës së një dite më parë, dhe gjithashtu e akuzoi Francën për ndërhyrje në punët e saj.

Europeans evacuated from Niger as neighboring juntas warn against intervention - Saudi Gazette

“Në kërkimin e mënyrave dhe mjeteve për të ndërhyrë ushtarakisht në Niger, Franca me bashkëpunimin e disa nigerianëve, mbajti një takim me shefin e shtabit të gardës kombëtare nigeriane për ta marrë autorizimin e nevojshëm politik dhe ushtarak”, thuhet në një deklaratë të lëshuar në televizion. Ministrja e Jashtme e Francës, Catherine Colonna, i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se “prioriteti i tyre i vetëm është siguria e shtetasve tanë”.

Tchiani thotë se rrëzoi Bazoum-in për shkak të ‘degradimit të situatës së sigurisë’, një referencë për konfliktin e vazhdueshëm me grupet xhihadiste të rajonit. Ai e përmendi gjithashtu korrupsionin dhe ekonominë e sëmurë si arsye për marrjen e pushtetit nga Bazoumi, i cili u zgjodh president në vitin 2021 në tranzicionin e parë demokratik të pushtetit të Nigerit që kur fitoi pavarësinë nga Franca në vitin 1960.

Ndonëse Bazoum u konsiderua si një person i pranueshëm nga Perëndimi, i njëjti u konsiderua më pak pozitiv nga një shumicë prej 24 milionë njerëzve të tij, gati gjysma e të cilëve jetojnë në varfëri. Jetët e tyre të vështira janë bërë më të dëshpëruara nga sulmet e grupeve islamike të lidhura me grupin Shteti Islamik dhe Al-Kaedën. Ata janë bërë gjithnjë e më aktivë në Afrikë në dekadën e fundit, duke kryer mizori që Franca, pavarësisht se dërgoi trupa në rajon, nuk arriti t’i zhdukte. Grushtshtetet në Mali dhe Burkina Faso u justifikuan me këtë dështim, ushtria premtoi se do të bëjë më shumë për t’i mbrojtur njerëzit nga xhihadistët.

Në vend të çizmeve franceze në terren në këto vende, është grupi mercenar rus Wagner që tani po punon me regjimet e reja. Megjithatë, strategjia e Vladimir Putinit për ta ndërtuar një bllok antiperëndimor në Afrikë ka pësuar si rezultat i pushtimit të tij në Ukrainë. Sipas Thierry Vircoulon, studiues në Institutin Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i cili ka shkruar gjerësisht për përpjekjet e Rusisë për ta rritur ndikimin e saj në Afrikë, imazhi i saj “si një fuqi ushtarake është tronditur” si pasojë e luftës. Konflikti i ka reduktuar gjithashtu dërgesat e armëve në Afrikë, metoda e preferuar e Putinit për të bërë miq të rinj në kontinent.

Gjithsesi, Putini do të jetë i kënaqur me grushtinshtetin në Niger. Ky vend është prodhuesi i shtatë më i madh në botë i uraniumit, i cili është jetik për industrinë bërthamore, dhe një e katërta e prodhimit të tij eksportohet në Evropë. Vitin e kaluar, presidenti francez Macron njoftoi një rinisje ambicioze të programit bërthamor të Francës, me ndërtimin e 14 reaktorëve të rinj dhe humbja e furnizimit të saj me uranium do të ishte një goditje për Francën.

Një tjetër arsye për alarm brenda Evropës është mundësia e një rritjeje tjetër të emigrantëve në të gjithë Mesdheun si rezultat i këtij grushtshteti. Fqinji i Nigerit në veri, Algjeria, ka shprehur ‘shqetësimin e tij të thellë’ për situatën sepse Nigeri është porta kryesore për imigracionin e paligjshëm nga Afrika Sub-Sahariane. Në dekadën e fundit, të dy vendet kanë punuar së bashku për ta frenuar këtë fluks, dhe vetëm këtë vit Algjeria ka kthyer prapa 9,000 emigrantë nga një shumicë vendesh afrikane. Ky bashkëpunim ka të ngjarë të përfundojë tani dhe pasojat do të ndihen në Algjeri dhe – sipas të gjitha gjasave – edhe në Evropë.

Burimi: The Spectator

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN