Në finalizim të operacionit policor antidrogë i koduar “Kompromisi”, janë arrestuar Rexhino Lazaj, 38 vjeç dhe Henri Karaj 25 vjeç, për shkak se bashkëpunonin për të shpërndarë doza kokaine në lagje të ndryshëm të Durrësit.
Karaj siguronte lëndën narkotike kokainë dhe kanabis, ndërsa 38-vjeçari e shpërndante.
Njoftimi i policisë:
Në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve në fushën e narkotikëve, Policia e Durrësit ka siguruar informacion nga inteligjenca policore, për një rast të shitjes në doza të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa, nga 2 shtetas, në lagje të ndryshme të qytetit.
Si rezultat i këtyre informacioneve të provuara nga një hetim disajavor, i ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor antidrogë i koduar “Kompromisi”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit H. K., 25 vjeç dhe R. L., 38 vjeç, të dy banues në Durrës.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi H. K. siguronte lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa, me qëllim shitjen e tyre në doza, nga shtetasi R. L., në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit. Gjithashtu, 25-vjeçarit iu gjetën në disa celularë, faqe online aktive për vënien e basteve sportive.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1.1 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, doza të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa, 900 euro dhe 90 000 lekë lekë të përfituar nga shitja e lëndëve narkotike, si dhe 2 peshore elektronike, 1 automjet, 1 tablet dhe 5 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.