MENU
klinika

Brenda 2023?

Rikthehet plani për vendosjen e fashës së energjisë

03.08.2023 - 19:39

Qeveria iu është rikthyer planeve për vendosjen e fashave të energjisë, duke parashikuar rritje për një kategori abonentësh brenda këtij viti. Gjithçka përcaktohet në Dokumentin e Politikave Prioritare 2024 -2026, ku ndër të tjera specifikohet se në buxhetin 2023 është parashikuar mbështetja e sektorit energjetik me 12 miliardë lekë, duke ruajtur të pandryshuar çmimin për konsumatorët familjarë brenda një fashe të caktuar, në përputhje me kushtet dhe gjendjen financiare të kompanive prodhuese.

Dokumenti nuk jep specifikime të metëjshme mbi fashën që do të vendoset dhe cili është niveli i konsumit, ku do të nisë aplikimi i saj me çmime të rritura. Gjatë përpjekjeve për rritje, vitin që shkoi fillimisht u deklarua se shtrenjtimi i çmimit do të niste nga ato familje që konsumonin mbi 700 kWh/muaj, ndërsa më pas niveli u synua të niste nga 800 kWh/muaj. Nëse ky nivel do aplikohej rritja e çmimit të energjisë elektrike do prekte të gjitha ato familje, që paguanin mbi 9 220 lekë në muaj. Numri i tyre përllogaritej në rreth 48 500.

Tarifimi me fasha dhe shtrenjtimi i energjisë shumë familje u argumenta vitin që shkoi me krizën energjetike dhe shpenzimet e larta për blerje energjie. Gjithsesi, viti 2023 ka qenë tejet i favorshëm në këtë drejtim, duke qenë se prodhimi nga Kaskada e Drinit ka mundur të plotësojë nevojat konsumatore, teksa gjeneruesi publik KESH, shiti energji deri në fund të qershorit, duke siguruar të ardhura. Importet nisën në korrik, teksa çmimet me të cilat është siguruar energjia kanë qenë ndjeshëm më të ulta se vjet, duke iu afruar nivelit të parakrizës.