Qeveria po përgatit rritje pagash për mjekët, infermierët, ushtarakët dhe policët e burgjeve për periudhën 2024-2026. Sipas dokumenteve për parashikimet afatmesme buxhetore, qeveria ka përcaktuar në mënyrë të detajuar edhe sektorët dhe kategoritë e nëpunësve të cilët do përfitojnë prej saj. Në mënyrë specifike, qeveria parashikon që gjatë vitit 2024 të përfitojnë nga politika e rritjes së pagave 18,858 punonjës të sistemit shëndetësor, ku përgjatë dy viteve do realizohet rritja mesatare për mjekët dhe infermierët që varion nga 26% në 34% të pagës bruto. Po ashtu 6,756 punonjës të Forcave të Armatosura do përfitojnë rritje të pagës për gradë me 4- 22% për vitin 2024. Rreth 12,120 punonjës të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, të cilët përfitojnë rritje të pagës për gradë me 7 % për vitin 2023 dhe 21-35% në vitin 2024; Rreth 3.566 punonjës të Policisë së Burgjeve, të cilët përfitojnë rritje të pagës për gradë me 7% për vitin 2023 dhe 22-36% në vitin 2024. Në dokument vihet theksi te mbështetja e fermerëve ku synohet zhvillimi i sektorit të bujqësisë dhe atij rural në Shqipëri, për të përmirësuar performancën e tyre ekonomike dhe kushtet e jetesës në zonat rurale, për t’i përgatitur këta sektorë për anëtarësimin e ardhshëm në BE, duke rritur numrin e të punësuarve në bujqësi dhe agropërpunim (nga 565 954 të punësuar të parashikuar në vitin 2024 në 568 000 të punësuar në vitin 2026).
Rriten pensionet
Si fillim qeveria po përgatit të rrisë pensionet për të moshuarit. Mësohet se reforma e pagave dhe qëndrueshmëria e ekonomisë do të rrisin kontributet e sigurimeve shoqërore duke krijuar hapësirë për rritje të pensioneve në tetor. Gjithashtu aktiviteti ekonomik dhe reformat e ndërmarra po krijojnë qëndrueshmëri në rritjen ekonomike, çka ka lejuar rritjen e pagave pa cenuar stabilitetin financiar dhe pa cenuar objektivat për konsolidim fiskal. Nga ana tjetër gazeta “SOT” ka zbardhur vendimin e publikuar nga qeveria në Fletoren Zyrtare disa muaj më parë ku u bë e ditur se më shumë se 60 milionë dollarë do të jenë si fond për indeksimin e pensioneve dhe bonusin e fundvitit. Pra, rreth 700 mijë të moshuar do të kenë një shtesë pensioni mbi 5 për qind. Një pensionist që merr aktualisht 9.600 lekë pension mujor, me shtesën 5 për qind që do të aplikohet do të marrë 500 më tepër.
Kategoritë që përfitojnë
Janë gjashtë kategori që përfitojnë, konkretisht ato që marrin pension pleqërie, pension familjar, pension invaliditeti, pension social, pension në fshat, punonjësit e nëntokës, ish ushtarakët dhe veteranët. Rritja e nivelit të përfitimeve të pensionistëve, është sipas rritjes së indeksit të çmimeve të mallrave të konsumit dhe të shërbimeve, të përcaktuar në shportën e pensionistëve. Rritja është llogaritur me indeksin mesatar 2.5% në vit, duke filluar në periudhën 01.04 i çdo viti, duke respektuar kështu edhe fondet e kontigjencës, por gjithashtu në rritjen e shtesës me 5 për qind përfshihet dhe shpërblimi i fundvitit. Sistemi do të vazhdojë të mbështesë me të ardhura mesatarisht nga 744-792 mijë persona që kanë përfituar dhe përfitojnë pensione publike, pensione suplementare si dhe një sërë të ardhura të tjera të parashikuara me ligje si dhe, vendime të veçanta si dhe vendime kompensuese të Këshillit të Ministrave.