Partizani luan me Valmierën për turin e tretë të Conference League. Ndeshja e parë zhvillohet në Letoni më 10 gusht, teksa një javë më pas sfida e kthimit luhet në Shqipëri.
Ndryshe nga sfidat e shkuara, Partizani do presë miqtë në “Elbasan Arena”. Kampionët e Shqipërisë spostohen dhjetra kilometra larg kryeqytetit, duke bërë që edhe tifozët të bëjnë më shumë sakrificë për të ndjekur ndeshjen nga shkallët e stadiumit.
Për shkak se fusha e “Air Albania” do i nënshtrohet mbjelljes së barit, të kuqtë janë të detyruar të luajnë larg tifozëve, gjë që do ndikojë edhe në të ardhurat e klubit prej biletave.
Në kushtet kur në Tiranë janë tre stadiume, por vetëm ai kombëtar vlen për në Europë, FSHF ka gjetur kohën e papërshtatëshme për procesin e mbjelljes. Kujtojmë se Partizani më 12 gusht në 20:00 do luajë kundër Romës një miqësore luksi në “Ai Albania”.
Edhe vetë UEFA ka konfirmuar se ndeshja Partizani – Valmiera më 17 gusht do luhet në “Elbasan Arena”.