Inflacioni shënoi rënie të lehtë në korrik të këtij viti, duke zbritur në 4.2%, niveli më i ulët nga marsi 2022, kur filloi shtrenjtimi i ndjeshëm si pasojë e luftës ruse në Ukrainë. Inflacioni kulmoi tetorin e kaluar në 8.3%, për të vijuar në rënie graduale, kryesisht i ndikuar nga rënia e çmimeve të karburanteve.
Pavarësisht ngadalësimit, ushqimet që zënë peshën kryesore të buxhetit të familjeve shqiptare kanë vijuar të shtrenjtohen, duke ndikuar pjesën më të madhe të inflacionit. Ato janë 9% më të shtrenjta se korriku i kaluar, të ndikuara nga zarzavatet e patatet që kushtojnë 21.6% më shumë, si dhe qumështi e vezët, me 13.6%. Fluksi i lartë i turistëve duket se ka ndikuar edhe në shtrenjtimin e argëtimit, me çmimet 9.5% më të larta.
INSTAT-i raportoi se në korrik 2023, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 4,2%. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 7,5%. Krahasuar me qershorin 2023 është -0,1% ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin korrik.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +3,20 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,44 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,26 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,22 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,21 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,16 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,06 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,05 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” me -0,84 pikë përqindje.
Krahasuar me muajin korrik 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 9,5%, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9,0%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,0%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,0%, “Veshje dhe këpucë” me 4,3%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,8%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,7%, “Shërbimi arsimor” me 2,0%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,3%, “Komunikimi” me 1,2% dhe “Shëndeti” me 1,1%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 12,4%.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “Zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 21,6%, pasuar nga nëngrupet “Qumësht, djathë dhe vezë” me 13,8%, “Mish” me 11,2%, “Fruta” me 7,0%, “Peshk” me 6,1%, “Sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 3,6%, “Bukë dhe drithra” me 2,9%, etj.