Tirana dhe Besiktas rrezikojnë një dënim të rëndë për shkak të incidenteve, përplasjes, dhunës dhe sendeve të forta të hedhura në fushë nga tifozët, në ndeshjen e së enjtes së kaluar për turin e dytë të Conference League. Gjigantët turq fituan 0-2 në “Air Albania”, ndërsa ndeshja nisi me vonesë për shkak të trazirave nga tifozët turq. Veç dënimit të tifozëve në nivel evropian, të dyja klubet kanë gati gjobat përkatëse pasi UEFA ka hapur një hetim për rastin.
Pak para ndeshjes së Tiranës, tifozët e Besiktas hodhën sende piroteknike në fushë. Për shkak të këtyre zhvillimeve, arbitri ndërpreu ndeshjen dhe tërhoqi skuadrat në dhomat e zhveshjes.
UEFA njoftoi se ka nisur një hetim për shkak të ngjarjeve. Në përputhje me raportet e arbitrit dhe vëzhguesit, sektorët ultras mund të mbyllen dhe gjobat janë në derë.
Ndeshja filloi me 14 minuta vonesë për shkak të tymuesve të hedhur nga tribuna e Besiktas. Ndeshja e cila duhej të fillonte në orën 20:00, nuk mundi të niste për shkak të pishtarëve të hedhur nga tribuna e Besiktas. Pasi tifozët hodhën sende në fushë, arbitri i ndeshjes, Stuart Atëell, i dërgoi skuadrat në dhomat e zhveshjes.
Pas sulmit të tifozëve të Besiktas kundër tribunës së atyre të Tiranës, spektatorët shqiptarë u futën në fushë dhe tentuan të sulmojnë tifozët e Besiktas. Më pas, delegati i UEFA-s dhe gjyqtarët zhvilluan një minitakim në fushë. Pas paralajmërimeve dhe njoftimeve në shqip dhe turqisht, gjyqtarët iu drejtuan mesfushës. Ndeshja nisi me 14 minuta vonesë pasi arbitrat dhe lojtarët u rikthyen në fushë kur situata u qetësua.
Në fund të 90 minutave ishte Besiktas që fitoi 0-2, teksa jashtë stadiumit tifozët e Tiranës pritën ata të Besiktas, ku pati përleshje dhe dhunë mes tyre, për fat pa të lënduar. Kujtojmë se për këto ngjarje, policia shqiptare ka proceduar 14 tifozë.