Vijon të mbetet i lartë fluksi i lëvizjeve ndërkufitare në pikat doganore të Kapshticës dhe Qafë Thanës.
Gjatë 3 ditëve të fundit kanë hyrë nga Greqia rreth 16 mijë qytetarë dhe kanë udhëtuar drejt Greqisë mbi 13 mijë qytetarë. Për të përballuar fluksin policia jonë kufitare ka hapur 6 sportele në hyrje dhe dalje, ndërsa pala greke po punon me 3 sportele.
Procedurat e kalimit të udhëtarëve dhe mjeteve kryhen pa vonesa në të dyja anët e kufirit. Shumica e qytetarëve që vijnë nga Greqia, kthehen në atdhe për pushime.
I lartë mbetet fluksi i lëvizjeve edhe në pikën doganore të Qafë Thanës, ku gjatë fundjavës kanë udhëtuar drejt Shqipërisë mbi 11 mijë qytetarë, ndërsa 9 mijë kanë dalë nga territori ynë.
Qytetarët që hyjnë nga Maqedonia e Veriut për shkak të fluksit të shtuar kanë pritur në kufi rreth 1 orë, ndërkohë që procedurat në palën shqiptare kryhen pa vonesa.