Duket si paradoks, por Ukraina, një vend që po vuan padrejtësisht nga një luftë e nisur nga një armik “i çmendur”, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, që siç jo pak ekspertë kanë parashikuar dhe aluduar, mund të ketë të njëjtin fat si ajo. Megjithatë, duket se gjërat po ndryshojnë, kësaj here për mire. Një letër e nënshkruar nga kryetarët e Komisioneve parlamentare të Punëve të Jashtme të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera por në të cilën iu bashkua edhe Oleksandr Merezhko kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Ukrainës, një vend që s’e ka njohur ende Kosovën shtet, ka ngjallur reagime. Profesori amerikan nga universiteti “Johns Hopkins”, Edward Joseph, mendon se me këtë akt të Merezhkom, pjesë e partisë së presidentit Zelensky, Ukraina i është afruar njohjes së Kosovës. Megjithatë, kjo sigurisht që nuk i ka pëlqyer Serbisë, aleates së Rusisë, që nuk i ka kursyer reagimet, madje edhe kërcënimet.
Njohja e Kosovës
Edward Joseph, përmes një postimi në Twitter, Joseph tha se mes emrave të nënshkruar në letrën e ligjvënësve europianë, më kryesori është nga Ukraina. “Nënshkruesi kryesor nuk është nga SHBA/BE, por nga Ukraina. Nëse është autentike, duke nënshkruar një letër ku thuhet ‘Kosova është një vend sovran’, Oleksandr Merezhko, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme, ju e keni afruar Ukrainën me njohjen e Kosovës. Merezhko është një avokat i respektuar ndërkombëtar, nga partia e Zelensky; ky i fundit është takuar me presidenten e Kosovës në qershor”, shkroi Joseph duke kujtuar këtu takimin mes Osmanit dhe Zelensky në kuadër të samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi. Joseph thotë se njohja e Ukrainës do të shërbente edhe për pesëshen e vendeve të Bashkimit Evropian dhe katërshes së NATO-s që nuk e njohin Kosovën të ndryshojnë qëndrim. “Menendez, Titus, Torres mund të përparojnë mesazhin e tyre të fuqishëm duke i kërkuar administratës së Bidenit që t’i kërkojë Kievit të njohë Kosovën, duke kufizuar ndikimin rus dhe kinez në Ballkan, duke i dhënë fund Beograd-centrizmit në politikën e Ballkanit dhe duke i liruar serbët e Kosovës nga përdorimi si pengje”, vijoi Joseph.
Kërcënimet e Serbisë
Sakaq, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç deklaroi se Serbia po i përcjell “me kujdes” qëndrimet e Ukrainës për çështjen e Kosovës dhe se me njohjen e pavarësisë, “Kievi do të dëmtonte veten”. Lidhur me deklaratën e analistit Edward Joseph, Daçiç u shpreh se në këtë mënyrë, Ukraina do të shkelte parimin e mbrojtjes së integritetit territorial. “Me njohjen e Kosovës, Ukraina do t’i bënte vetes një dëm të madh, sepse do të shkelte parimin e mbrojtjes së integritetit territorial të shteteve. Ne do t’i monitorojmë me kujdes pikëpamjet e tyre për këtë çështje”, theksoi ai. E vetmja çështje, ku duket se Serbia mund t’i bëjë presion Ukrainës, është ndërprerja e ndihmave, ende “fantazmë”, për shkak se Beogradi ka refuzuar të pranojë publikisht dërgesat.
Ndikimi tek lufta
Kujtojmë se agjencia Reuters njoftoi në prill se Serbia ka pranuar të dërgojë armë në Kiev ose i ka dërguar tashmë ato. Reuters e publikoi informacionin bazuar në një dokument konfidencial të Pentagonit. Ai ishte pjesë e dhjetëra dokumenteve të klasifikuara, të publikuara në internet asokohe. Aty thuhej se Serbia refuzoi të ofronte trajnime për forcat ukrainase, por u zotua të dërgonte ndihmë vdekjeprurëse ose e kishte dërguar tashmë atë. Gjithashtu, aty theksohej se Serbia kishte vullnet politik dhe aftësi ushtarake për t’i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen. Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar “i prerë” se Serbia nuk ka eksportuar dhe nuk do të eksportojë armë në Ukrainë, si dhe se “nuk ka eksportuar dhe nuk do të eksportojë municione as në atë vend dhe as në Rusi. Ai përsëriti se Serbia është ushtarakisht neutrale dhe nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim. Edhe ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, pati të njëjtin qëndrim, duke mohuar dërgesat. Deklarata paradoksale nga njerëz që “idhullin” e vetëm kanë presidentin rus Vladimir Putin, njëherazi “makthin” e ukrainasve.