Kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiç nuk i ka pëlqyer letra që kryetarët e Komisioneve parlamentare për Punë të Jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë e disa vendeve të tjera ua kanë dërguar kryediplomatëve evropiano-amerikanë, ku i kërkohet që të kenë një qasje më të ashpër dhe më të vendosur ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Brnabiç tha se kjo letër ishte e “mirëpritur”, pasi që pretendoi se ishte provë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “gëzon vërtet mbështetje dhe inkurajim të plotë për cenimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”.
Ndërkaq, kryeministrja serbe theksoi se Kurti po i shmanget zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialog, duke përmendur kështu Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, dhe pretendoi se serbëve në Kosovë po i “cenohen të drejtat themelore të njeriut”.
“Gjithçka që duhet të dijë kushdo për demokracinë në sundimin e ligjit në Kosovë është se që nga fillimi i këtij viti, pjesëtarët e aparatit të Sigurisë së Kosovës kanë qëlluar gjashtë serbë dhe se askush nuk është mbajtur përgjegjës”, pretendoi ajo.
Letra e cila u publikua nga gazeta gjermane “Tagesspiegel”, kryediplomatëve evropianë-amerikanë iu kërkohet një qasje më e ashpër dhe më e vendosur ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Në letrën e nënshkruar mbi të gjitha nga kryetari i komisionit parlamentar për politikë të jashtme në Parlamentin e Gjermanisë (Bundestag) Michael Roth dhe kryetari i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bob Menendez, specifikohet se baza e politikës së përbashkët perëndimore ndaj krizës aktuale në Veri, duhet të jetë fakti se Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale.
“Qasja aktuale nuk po funksionon. Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politika me qendër Beogradin. Të shqyrtohet një politikë e diplomacisë parandaluese për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës. Ata që mbrojnë shtetin ligjor dhe demokracinë nuk duhet të qortohen”.