MENU
klinika

Analiza

Sulmet nga të gjithë frontet po “paralizojnë” Rusinë

09.08.2023 - 08:30

Një tjetër anije luftarake ruse e zhytur në ujë dhe Krimeja vazhdimisht nën shënjestër nga sulmet ukrainase nuk është aspak imazhi që Vladimir Putin do të kishte dashur të shihte në frontin e luftës që ai vetë nisi. Krimea po bëhet gjithnjë e më shumë një nga teatrot qendrore të luftës në Ukrainë. Forcat e Kievit sulmojnë rregullisht infrastrukturën në gadishullin e aneksuar nga Rusia, si dhe përpiqen ta sjellin luftën “nën hundën” e Vladimir Putin me sulme me dronë në kryeqytet. Sakaq, nën hijen e këtyre goditjeve, po bëhet e qartë që Deti i Zi po bëhet një front vendimtar, sidomos pasi Moska u tërhoq nga marrëveshja e grurit të OKB-së dhe bombardoi portet e Ukrainës. Sidoqoftë, është fakt që Moska po përjeton disa nga ditët e saj më të këqija, dhe më befasues është ideja që nuk dihet se kur mund të ndryshojë situata, dhe “loja” të kthehet në favorin e saj.

Sulmet në Krime

Së fundmi, raketat “Storm Shadow” goditën urat kryesore që lidhin Krimenë me Ukrainën e pushtuar, ndërsa Kievi dhe Moska shkëmbenin sulme me rreze të gjatë. Sergei Aksyonov, kreu i Krimesë i instaluar nga Rusia, tha se raketat e lundrimit të furnizuara nga Britania dëmtuan urën Chongar, e cila ndan gadishullin nga rajoni Kherson, rruga që përdorte Rusia për të rifurnizuar forcat në vijën e pare të luftës. Kjo e ka bërë atë një objektiv prioritar për ushtrinë e Ukrainës, e cila gjithashtu goditi urën në qershor. Vladimir Saldo, guvernatori i Khersonit i instaluar nga Rusia, njoftoi se një tjetër urë, më e vogël, aty pranë ishte goditur gjithashtu. Ushtria e Ukrainës konfirmoi sulmet, për të cilat tha se “kishin goditur dy rrugë kyçe të komunikimit të pushtuesve”. Sulmet e urës erdhën pas një bombardimi intensiv rus të Ukrainës dhe një sulmi tjetër të supozuar me dron ukrainas në Moskë. Analistët thanë se bombardimet e rënda ruse ishin hakmarrje për sulmet me dron të marinës ukrainase ndaj një cisterne civile të premten mbrëma dhe një luftanije detare ruse një natë më parë. Anija e shënjestruar po dërgonte naftë për trupat ruse me bazë në Siri, sipas Vladimir Rogov, një zyrtar i emëruar nga Rusia në rajonin juglindor të Ukrainës, Zaporizhzhia.

Fronti vendimtar

Përplasjet detare janë intensifikuar javët e fundit, sidomos pasi Rusia braktisi një marrëveshje të ndërmjetësuar nga OKB-ja, e cila lejonte eksportin e grurit ukrainas përtej Detit të Zi. Portet e Ukrainës u sulmuan nga dronë dhe raketa ruse dhe Kievi kërcënoi me hakmarrje. “Është e pamundur të fitosh një luftë nëse nuk sulmon në mënyrë aktive”, tha këshilltari i presidentit ukrainas, Mihajlo Podoljak . Ai beson se imazhet e anijeve ruse të dëmtuara do ta bëjnë Moskën “të mendojë dy herë për përdorimin e Detit të Zi për shantazh”. Kievi mohon sulmet me dron brenda Rusisë por i sheh sulmet detare rreth territoreve të pushtuara si të drejtën e tij. Nga ana tjetër, Rusia, përkatësisht, kontrollon plotësisht detet e Zi dhe Azov. Moska e sheh rajonin e Detit të Zi si jetik për strategjinë e saj gjeoekonomike: të projektojë fuqinë dhe ndikimin rus në Mesdhe, të mbrojë lidhjet e saj ekonomike dhe tregtare me tregjet kryesore evropiane dhe ta bëjë Evropën Jugore më të varur nga nafta dhe gazi rus. E vetëdijshme për potencialin e paqëndrueshmërisë që do të rrjedhë nga Lindja e Mesme në Rusi, ajo e sheh gjithashtu këtë trup uji si një zonë të rëndësishme mbrojtëse të sigurisë.

Dronët e detit

Sakaq, një pjesë e madhe e këtyre sulmeve thuhet se janë kryer nga anije ukrainase pa pilot. Në një luftë ku Kievi nuk ka anije luftarake për të sfiduar drejtpërdrejt kontrollin e Moskës mbi Detin e Zi, përhapja e dronëve të detit duket se po i jep Ukrainës përparësi. Dronët e detit, të quajtur edhe USV, janë anije të vogla pa pilot që operojnë në ose nën sipërfaqen e ujit, ku edhe është më e vështirë që të zbulohen. Analisti ushtarak Sean Bell tha për Sky News se këto janë “relativisht të lira” dhe “sigurojnë një kërcënim relativisht të shpejtë dhe të profilit të ulët për anijet ushtarake ruse, veçanërisht kur sulmi kryhet gjatë natës”. Sigurisht, analisti shtoi se më shumë se dëm fizik, ata bëjnë dëm psikologjik, duke frikësuar armikun për çfarë e pret.