Çmimet e orizit u rritën në nivelin më të lartë në pothuajse 12 vjet, si pasojë e ndalimit të eksportit nga India dhe kushteve të pafavorshme të motit që mund të ndikojnë në prodhim, tha agjencia e ushqimit e Kombeve të Bashkuara.
Indeksi i Çmimeve të Orizit i FAO-s për muajin korrik u rrit me 2.8%, në 129.7 pikë. Shifra është rritur 19.7% krahasuar me një vit më parë dhe regjistron vlerën nominale më të lartë që nga shtatori 2011. Rritjet më të mëdha të çmimeve erdhën nga Tajlanda.
“Shqetësimet mbi ndikimet e mundshme të El Nino në prodhim ishin faktori kryesor që ndikuan në çmime”, thuhej në raport. El Nino është një fenomen klimatik i karakterizuar nga temperatura ekstreme.
India, eksportuesi kryesor në botë i orizit, ndaloi eksportet e orizit të bardhë jo basmati më 20 korrik, pasi qeveria kërkon të mbajë një kufi në rritjen e çmimeve të ushqimeve në vend dhe të sigurojë furnizime të mjaftueshme me çmime të arsyeshme.
India zë më shumë se 40% të tregtisë globale të orizit. FAO vuri në dukje se kufizimi i eksportit nga India ngre shqetësime të konsiderueshme për sigurinë ushqimore për një pjesë të madhe të popullsisë botërore. Analistët e tregut shprehen për rritje të mëtejshme të çmimit edhe gjatë muajit gusht.
Sipas tyre, çmimet mund të rriten më tej nëse edhe vende të tjera ndjekin shembullin e Indisë në kufizimet e eksportit.
El Nino mund të përkeqësojë më tej rreziqet për prodhues të tjerë të mëdhenj aziatikë të orizit si Tajlanda, Pakistani dhe Vietnami. Orizi, duke qenë një kulturë e cënueshme, ka probabilitetin më të lartë të humbjes së njëkohshme të prodhimit gjatë një ngjarjeje të El Nino, tregoi një studim shkencor.
Ndërkohë, Tajlanda, eksportuesi i dytë më i madh në botë i orizit, tani po inkurajon fermerët e saj që të mbjellin më pak, në një përpjekje për të kursyer ujin si rezultat i reshjeve të pakta.