MENU
klinika

Raporti i Mbikqyrjes

Tregu i sigurimeve rrit asetet dhe investimet

12.08.2023 - 11:12

Viti 2023 e ka gjetur tregun shqiptar të sigurimeve me rritje të fortë të aktiveve por veçanërisht me rritje edhe më të fortë të investimeve. Sipas Raportit të Mbikqyrjes të sapopublikuar nga AMF, totali i aseteve në fillim të vitit 2023 është rritur në 43.5 miliardë lekë, 7.3% më shumë se një vit më parë. Rritje edhe më të fortë ka shënuar totali i investimeve që kanë kryer kompanitë, të cilat nga 27.5 miliardë lekë nga fillimi i vitit të shkuar, rezultojnë në 30.5 miliardë në fillim të 2023, ose me rritje prej 10% në bazë vjetore.

Edhe viti 2023, e gjeti tregun shqiptar me 12 shoqëri sigurimi. Vëllimi i primeve të shkruara bruto arriti në rreth 21 miliardë lekë, duke u rritur me rreth 9.21% krahasuar me vitin 2021. Të ardhurat nga primet e shkruara bruto u rritën si në aktivitetin e Jetës, ashtu dhe në atë të Jo-Jetës. Në aktivitetin e Jetës, në vitin 2022, primet e shkruara bruto u rritën me 17.91% krahasuar me vitin 2021. Rritja erdhi kryesisht si pasojë e rritjes së kontratave në sigurimin e Jetës së debitorit, me afro 56.12% e totalit të rritjes së primeve në sigurimin e Jetës.

Në sigurimin e Jo-Jetës, primet e shkruara bruto, në vitin 2022 u rritën me 8.51% krahasuar me vitin 2021. Rritja e të ardhurave erdhi kryesisht nga portofoli i sigurimit të detyrueshëm motorik, me rreth 80.35% e totalit të rritjes së primeve në sigurimin e Jo-Jetës.

Në nivel tregu, totali i dëmeve të paguara bruto për vitin 2022 arriti në 6.8 miliardë lekë, me një rritje prej 2.45%, krahasuar me vitin 2021. Dëmet e paguara në sigurimin e Jo-Jetës kapën shifrën 6.3 miliardë lekë, ndërsa në sigurimin e Jetës dëmet e paguara ishin rreth 293 milionë lekë.

Pjesa tjetër prej rreth 290 milionë lekë të dëmeve të paguara i përkasin dëmeve të Fondit të Kompensimit dhe Dëmeve të paguara si sigurues i drejtpërdrejtë. Pagesat e dëmeve nga Fondi i Kompensimit në vitin 2022, janë realizuar në masën prej 108%, duke rezultuar me një tepricë prej rreth 19 milionë lekë mbi planifikimin e bërë në fillim të vitit. Gjatë vitit 2022, risi në dëmet e paguara në portofolin TPL e brendshme ishin dëmet e paguara me REA (Raporti Evropian i Aksidenteve) që kapin 29% të totalit të numrit të dëmeve të paguara në këtë portofol sigurimi.