MENU
klinika

Çfarë fshihet pas kërcënimeve të Putin?

10 mijë ushtarë polakë në kufi, pse Rusia po “luan me zjarrin”

15.08.2023 - 09:30

Polonia, vendi me më shumë forca tokësore midis anëtarëve evropianë të NATO-s, po dërgon të paktën 10,000 ushtarë të saj në kufirin me Bjellorusinë. Veç tyre do të dërgohen edhe avionë luftarakë, siç është njoftuar ditët e fundit. Kështu, tregohet edhe një here rritja e shqetësimit midis aleatëve të SHBA-së për praninë e mercenarëve rusë, Grupi Wagner, në vendin aleat të Kremlinit. Pasi diktatori bjellorus dhe aleati i Putinit, Alexander Lukashenko njoftoi stërvitjet ushtarake të ushtrisë bjelloruse dhe Wagner pranë kufijve të vendit me Poloninë dhe Lituaninë këtë javë, duke shtuar se ata do të trashëgojnë “përvojën e një operacioni të posaçëm ushtarak”, Varshava vendosi t’i përgjigjet fuqishëm sfidës. Ambasadori polak në SHBA, Marek Magierowski i tha NBC News se është “imperative” që vendi i tij jo vetëm të mbrohet, por edhe të mbrojë krahun lindor të NATO-s. Rajoni, shtoi ai, duhet të përgatitet për “provokime të mëtejshme” nga Moska dhe Minsku në muajt e ardhshëm.

Masat e Polonisë

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki paralajmëroi muajin e kaluar se rreth njëqind luftëtarë Wagner që kishin mbërritur në Bjellorusi kishin lëvizur drejt një pjese të territorit polak të njohur si Korridori Suwalki, pikërisht pranë kufirit me Lituaninë. Është një “rrip i hollë”, pjesë përbërëse e territorit të NATO-s, që ndan Bjellorusinë nga enklava ruse e Kaliningradit. Në kontekstin e gjeografisë rajonale, supozimi i kontrollit ruso-bjellorus mbi këtë zonë do të nënkuptonte se shtetet baltike të Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë do ta gjenin veten të shkëputur nga pjesa tjetër e NATO-s, duke e bërë çdo kërcënim të mundshëm veçanërisht të prekshëm. Javën e kaluar, Varshava akuzoi Bjellorusinë për shkelje të hapësirës së tyre ajrore me helikopterët e saj ushtarakë. Në fillim të gushtit, diktatori bjellorus në mënyrë cinike i tha Polonisë se ajo duhet t’i ishte mirënjohëse që i ndaloi luftëtarët e Wagnerit të shkonin në një “udhëtim” në qytetin kufitar polak.

Justifikimi i Putinit

Deklarata e ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu të mërkurën se Moska do të forcojë forcat e saj në kufijtë e saj perëndimorë dëshmon se plani i nxitjes së tensionit në kufirin me Perëndimin evropian midis Minskut dhe Kremlinit është hartuar me detaje dhe me shumë kujdes. Rusia e justifikoi, duke argumentuar se Polonia planifikon të pushtojë Ukrainën perëndimore, që është një përpjekje tipike e Kremlinit për të nxitur mosmarrëveshje, siç raporton “Slobodna Dalmacija”. Zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu tha se aleanca ka rritur ndjeshëm praninë e saj në lindje dhe se ajo vazhdon të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të penguar çdo kërcënim dhe për të mbrojtur “çdo centimetër të territorit aleat”. Sipas saj, NATO monitoron nga afër të gjitha aktivitetet ushtarake brenda Bjellorusisë.

Strategjia e Kremlinit

Realisht, për momentin, ka pak probabilitet për një konfrontim të drejtpërdrejtë të Rusisë me Poloninë dhe NATO, sipas ish-oficerit britanik dhe pedagogut të strategjisë ushtarake në Universitetin Britanik të Portsmouth Frank Ledwidge. Megjithatë, vendimi i fundit i Varshavës për të dërguar mijëra ushtarë në kufi është plotësisht i kuptueshëm. Përveç kësaj, s’duhet anashkaluar fakti se qeveria e djathtë në pushtet në Poloni po përballet tashmë me zgjedhjet parlamentare në tetor dhe se do të jetë shumë e lumtur të pranojë sfidën e kërcënimit në çdo kuptim dhe të tregojë fuqishëm shqetësimin e saj për sigurinë kombëtare. Putin përdori transferimin në Bjellorusi dhe stërvitjet e mercenarëve të Wagner atje si një kërcënim të nënkuptuar për anëtarët lindorë të NATO-s, duke i detyruar ata të kushtojnë burime shtesë për mbrojtjen e kufirit, sipas Kimberly Marten, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Kolumbisë. Dhe ajo beson se ngacmimi i Putinit është një strategji për të devijuar burimet dhe vëmendjen e NATO-s nga Ukraina dhe Deti i Zi. Nga ana tjetër, ky është edhe mesazhi i Putinit për vetë mercenarët e Wagnerit, se ata mund të kenë shkuar përtej Rusisë, por ende Kremlini po i vëzhgon.

Shefi i NATO-së takohet me Trump në Florida!

Çfarë diskutuan Mark Rutte dhe presidenti i zgjedhur i Amerikës

Analiza e DW: Si do të veprojë qeveria

A mund të arrestohet Benjamin Netanyahu në Gjermani?

Netanyahu “barazohet” me Putinin

E ardhmja e Izraelit varet “në fije të perit”

Çfarë dimë për raketën ruse ‘Oreshnik’!

Putin: Asnjë komb tjetër nuk ka armë si tonat

Dy sekretarë të tjerë mund të kenë fatin e Gaetz

Bie “ushtari” i parë i Trump, Prokurori i Përgjithshëm jep dorëheqjen