Policia e Bulqizës ka marrë në mbrojtje familjen e Dorjan Demës, autorit të vrasjes së 26-vjeçarit Dritan Manjanit në Shupenzë. Kjo pasi autori i vrasjes dhe viktima ishin nga i njëjti fshat, Homesh.
Bëhet me dije se efektivë të Policisë kanë mbërritur në fshatin në fjalë dhe janë duke qëndruar para portës së banesës së autorit, i cili u arrestua pak pas ngjarjes së rëndë. Kjo bëhet e gjitha me qëllimin për të shmangur ndonjë konflikt të mundshëm mes dy familjeve.
Dritan Manjani dhe Dorjan Dema u konfliktuan në orët e vona të mbrëmjes dhe situata agravoi deri në deri në përdorimin e armëve të ftohta (kaçavidë) dhe për pasojë 26-vjeçari ka humbur jetën në spital për shkak të plagëve të marra.
Viktima dhe autori ndodheshin në të njëjtin lokal, ku nisi sherri dhe më pas janë zënë sërish në hyrje të fshatit, ku edhe ka ndodhur krimi. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.