Edhe këtë vit Vlora mbetet një nga zonat më të preferuara për turistët. Në një lidhje me “Shqipëria Sot”, gazetari Elton Nika raporton se numrin më të madh e zënë turistët italianë.
Sipas tij, vetëm këtë të martë kanë mbërritur 1450 persona në Portin e Vlorës.
“Vlora këtë vit mbetet një nga zonat më të preferuara nga turistat italianë. Ka dhe shumë të huaj nga kombësi të tjera, por duket se italianët zënë vendin kryesor.
Ditën e sotme në portin e Vlorës kanë mbërritur 1450 persona, ndërsa dje ka qene e njëjta shifër rreth 1 mijë persona, ku nga këta pjesën më të madhe, rreth 80% e zënë shtetasit me pasaportë italiane. Pra, kemi dyndje dhe një numër shumë të madh të pushuesve Italinë, të cilët zgjedhin Vlorën dhe Jugun e Shqipërisë”.
Ndërsa, sa i përket linjave të trageteve, Nika zbuloi nuk ka pasur problematika të mëdha.
“Duke pasur këtë fluks turistësh, do të ketë dhe radhë padyshim, po jo shqetësime të mëdha nga turistët me orë e orë të tëra siç ka ndodhur në vitet e shkuara. Fatmirësisht në portin e Vlorës situata ka qene normale dhe e menaxhueshme”.