Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas 8 urdhër-arresteve të SPAK që lidhen me koncesionin e sterilizimit.
Basha me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se koncesionet në shëndetësi janë vepra korruptive të qeverisë Rama dhe se janë deoncuar nga PD.
Ndër të tjera ai përgëzon SPAK dhe i bën thirrje që hetimet të shkojnë deri në fund dhe të arrestohen të gjithë të përfshirit në këtë aferë.
Postimi i plotë i Bashës:
Koncesionet në shëndetësi janë vepra korruptive të qeverisë Rama, të cilat janë denoncuar publikisht dhe janë kallëzuar penalisht në SPAK nga Partia Demokratike. Për vite me radhë paratë e shqiptarëve nuk janë vendosur në shërbim të pacientëve, por të politikanëve të korruptuar dhe klientëve të tyre.
Kjo lojë e paskrupullt me shëndetin e njerëzve, është dëshmi e makutërisë primitive të kësaj qeverie, e cila duhet hetuar në thellësi, duke shkuar deri tek burimi i kësaj skeme korruptive dhe rrënuese për interesin publik, e cila nuk u ndal as gjatë kohës së vështirë të pandemisë.
Përshëndes veprimet hetimore të SPAK dhe e inkurajoj t’i shkojnë deri në fund zinxhirit të përgjegjësive që kanë shkaktuar dëme të parikuperueshme për qytetarët shqiptarë, të cilët presin dhe meritojnë drejtësi!