Në një biznes hyhet për të fituar. Biznesi bankar për shembull është një sipërmarrje që shet dhe ble kursimet e qytetarëve shqiptarë. Pra depoziton kursimet e tyre dhe jep kredi për nevoja të klientëve, përfshirë individë dhe biznese. Po si sigurohet fitimi? E thënë thjesht, fitimi i bankave është diferenca mes interesit të fituar nga kredia dhe interesit të paguar nga depozita.
Fitimi i sektorit bankar, shënoi një rritje të fortë në gjysmën e parë të këtij viti. Banka qendrore thotë se, fitimi neto i sektorit shënoi një rritje prej 127% . Pra për çdo 100 Euro të investuar u fituan 127 Euro. Analistët nënvizojnë se rezultatet në rritje të bankave janë mbështetur paralelisht nga rritja e të ardhurave neto nga interesat dhe nga rritja e të ardhurave të tjera.
Vetëm interesa për kreditë e marra dhe shërbimet e tjera bankare, shqiptarët për 6 muaj u kanë paguar bankave tregtare neto, 33.2 miliardë lekë, ose 34% krahasuar me një vit më parë. Ndryshimet në kursin e këmbimit janë reflektuar edhe në normat e kredive me interes të ndryshueshëm të sektorit bankar. Por edhe në krahun e depozitave. Kështu bankat kanë paguar, për interesa, afërsisht 50% më shumë, krahasuar me një vit më parë. Nuk po përmendim këtu edhe një rritje të lartë të të ardhurave të tjera, jo nga interesat.
Por po tregojmë se këto të ardhura kanë arritur, në rritje, me 204% krahasuar me një vit më parë. Pikërisht rritja e këtyre të ardhura, të marra së bashku, kanë ndikuar në rritjen e fitimit, pavarësisht një rritjeje paralele edhe të shpenzimeve. Këto të fundit u rritën me vetëm 11% krahasuar me një vit më parë dhe lidhen kryesisht me rritjen e provigjioneve për kreditë me probleme. Të cilat nga ana e tyre janë ulur në mënyrë të vazhdueshme, ndikuar edhe nga kursi i këmbimit të euros në treg, kur kreditë janë në euro.
Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, shifrat e raportuara tregojnë se fitimi progresiv neto në fund të gjashtëmujorit arriti në 13.6 miliardë lekë, ose 131 milionë Euro. Në vlerë absolute, fitimi i sektorit bankar ka prekur një rekord të ri historik për 6-mujorin e parë të vitit. Nga 11 banka të sektorit, 10 prej tyre rezultonin me fitim.