Çmimi i golashënuesit më të mirë në ligën e dytë spanjolle me 23 gola në sezonin e kaluar, vazhdon të ketë ende efekt për Myrto Uzunin gjatë kësaj dritareje transferimesh. Nuk janë pak klubet që kërkojnë shërbimet e sulmuesit të Kombëtares, teksa së fundmi, siç raporton spanjollja “AS”, Gallatasaraji kërkon të firmosë me të.
Klubi turk, pasi prezantoi Hakim Ziehun nga Çelsi, përforcimin në krahun tjetër të sulmit kërkon ta bëjë me beratasin. Siç thuhet, klubi kampion në fuqi në Turqi është ulur në tavolinë me drejtuesit e Granadës dhe ka diskutuar për mundësinë që të sjellë në Stamboll, Uzunin, pasi, siç dihet, Milot Rashica, që ishte i huazuar sezonin e kaluar nga Noruiçi dhe luante në të njëjtin rol, firmosi te rivalët e Beshiktashit.
Por, nuk është aq e lehtë për të arritur te 28-vjeçari, pasi klubi spanjoll nuk dëshiron që ta shesë atë, përveç se paguhet klauzola, e cila është vendosur në kontratën e tij. Një shifër e konsiderueshme prej 25 milionë eurosh do të lironte Uzunin për të kaluar në kampionatin turk. Kjo është përgjigjja, sipas mediave spanjolle, që Granada i ka dhënë Gallatasarajit. Myrto është nën kontratë deri në vitin 2026 dhe luan me Granadën që prej janarit të 2022-shit, ku ka shënuar 24 gola dhe ka dhënë gjashtë asistime.
Ka një numër klubesh të interesuara për Myrto Uzunin dhe kjo nuk është befasi duke pasur parasysh se ai shënoi 23 gola dhe pesë asistime në 38 paraqitje në ligën e dytë spanjolle sezonin e kaluar. Për sa u përket klubeve angleze që janë të interesuara për të, Brentfordi i është bashkuar Lidsit dhe Sauthemptonit, me klubin e Premier Ligës që është potencialisht favorit për të arritur një marrëveshje me lojtarin, duke marrë parasysh se sa e lartë është klauzola e tij e lirimit.
Ekipi ku bën pjesë edhe portieri Tomas Strakosha ka krijuar një skuadër solide në kampionatin anglez, çka mund të ndikojë për të bindur anësorin kuqezi që të firmosë. Ndërkohë, sa i përket Lidsit, Uzuni do të bënte shumë punë, pasi klubi që u rrëzua nga Premier Liga nuk ka shumë opsione në sulm. Ndërkaq, Sauthemptoni, ekipi ku ka luajtur edhe Broja dhe është në Championship, kërkon të shesë dy lojtarë si Teja dhe Adams, e kështu Uzuni mund të garantonte golat dhe të ndihmonte ekipin për t’u rikthyer mes më të mirëve.