Para pak kohësh një tjetër dokument i publikuar nga ish-kreu i Arkivës në Ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi, tregonte për punën dhe pushimet e Enver Hoxhës.
Në këtë vendim, atij i urdhërohej të merrte pushim për t’u çlodhur dy herë në vit, për një periudhe jo me të shkurter se tre muaj, ndërkohë që çdo ditë nuk duhej të punonte më shumë se 4 orë. Të mendoni se kjo letër është e vitit 1958, në atë kohë kur Hoxha ishte ende i ri dhe i fortë me shëndetin.
Postimi i Kastriot Dervishit:
Sa shumë lodhej komandanti
Në vitin 1958 Byroja Politike, pa diskutim dhe propozim, miratonte një vendim që kufizonte kohën e punës të sekretarit të parë. Vendimi që bashkëlidhet, justifikohet me domosdoshmërinë e ruajtjes së shëndetit të udhëheqësit, pikërisht në kohën kur klasës punëtore dhe fshatarësisë kooperativiste i kërkohej të rriste normat dhe orët e punës. Mirëpo çfarë pune bënte Enveri? Tematika e mbledhjeve dhe vendimmarrja vetëm thelb dhe cilësi nuk kanë.