Superliga shqiptare do të ngrejë të shtunën siparin e sezonit të ri. Sfida mes Egnatias dhe Skënderbeut që do të nisë në orën 17:00 do të jetë e para përballje në rrugëtimin e gjatë të kurorëzimit të kampionit të ri 2023-2024.
Vendasit, të cilët sezonin e kaluar bënë surprizën duke fituar edhe Kupën e Shqipërisë, këtë herë e nisin me pretendime për titullin dhe do synojnë fitoren që kundër korçarëve.
Nga ana tjetër Skënderbeu është rikthyer në Superligë pas një sezoni në Kategorinë e Parë. Merkato ka qenë pa shumë shpenzime për faktin se korçarët e kanë ende të pamundur të luajnë në Kupat e Europës. Objektivi kryesor është mbijetesa dhe çdo rezultat tjetër është i mirseardhur.
Ndërkohë po të shtunën në orën 20:00 Vllaznia e drejtuar nga Migen Memelli do të presë Kukësin, me qëllimin për ta nisur me fitore sezonin e ri.
“Objektivi im personal dhe i skuadrës është një dhe i vetëm, të fitojmë ndeshjen me Kukësin. Pastaj do shohim javë pas jave sepse në final four çdo gjë zerohet dhe kur çdo gjë zgjerohet nuk më objektiva. Ne duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë,”-u shpreh Migen Memelli, trajner i Vllaznisë.
“Ndeshja e parë në shtëpi, s;mendojmë gje tjetër veç fitores. Thjeshtë duhet ta marrim me qetësi. Shiriti io kapiteni është krenari për mua, por edhe ndienjë krenarie. Do përpiqem të jem shembull si brenda dhe jashtë fushe,”-deklaroi Bekim Balaj, kapiten i Vllaznisë.
E shtuna kishte të programuar edhe një sfidë të tretë mes Partizanit e Teutës, por kjo përballje me kërkesë të klubit të kuq është shtyrë për shkak të angazhimeve në Conference League.
Duhet theksuar që për herë të parë në këtë sezon pas 36 javësh do të ketë një fazë ‘final-four’ ku katër skuadrat e renditura të para do të kenë një minikampionat me pikë të zeruara.