MENU
klinika

Ministrja e Kulturës

Margariti: Kalaja e Krujës po bëhet gjithnjë e më e bukur

25.08.2023 - 16:02

Bonusi i Rijetëzimit bën bashkë shtet e privat për ti dhënë jetë trashëgimisë kulturore. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se Bonusi i Rijetëzimit është një nismë e suksesshme e ministrisë, ku sipas saj në kalanë e Krujës modele të reja investimi po rrisin cilësinë e shërbimeve. “Falë njërës prej nismave më të suksesshme të Ministrisë së Kulturës, Bonusit të Rijetëzimit, që bën bashkë shtet e privat për t’i dhënë jetë trashëgimisë kulturore, Kalaja e Krujës, kjo krenari kombëtare po bëhet gjithnjë e më e bukur dhe ftuese për këdo që viziton këtë qytet-muze në qiell të hapur. Modele të reja investimi e biznesi po rrisin cilësinë e shërbimeve dhe mirëqenien e banorëve të saj”, shprehet ministrja Elva Maragriti, që ndau në rrjetet sociale edhe pamje nga restaurimi i shtëpive të Kalasë së Krujës. Bonusi i Rijetëzimit synon restaurimin dhe rijetëzimin e objekteve monumente kulture, por edhe ato që nuk mbajnë këtë status, por gjenden në qendra historike e arkeologjike, lagje-kala, etj. Ministria e Kulturës shpalli në janar të këtij viti thirrjen e Bonusit të Rijetëzimit. Nga 173 aplikime këtë vit, lista përfundimtare e aplikantëve fitues të programit të Bonusit të Rijetëzimit 2023-2024 në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës ka 58 fitues. Për vitin që lamë pas Ministria e Kulturës pati një fond prej 10 milionë lekësh të reja për projektet e Bonusit të Rijetëzimit, ndërsa këtë vit buxheti është 50 përqind më i madh se një vit më parë dhe harta gjeografike e projekteve fituese është më e gjerë, duke prekur edhe ato zona ku nuk kishte shkuar në vitin 2022, ndërkohë që numër i madh i përfituesve numërohet në qytetet nën mbrojtjen e UNESCO-s, si Gjirokastra, Berati apo qytetet me trashëgimi kulturore të spikatur si Kruja.