Një fillim sezoni i gjithi për t’u harruar për Romën në Serie A, 2 ndeshje 1 pikë. Ekipi i Jose Mourinho-s bie në transfertë përballë Verona-s, një humbje që “djeg” jo pak, për më tepër tregoi edhe një herë limitet e këtij ekipi. U rikthye Pellegrini, por pa Dybala në formë dhe me Abraham të dëmtuar, verdhekuqtë janë një ekip normal, që nuk ngjallin frike. Pas vetëm katër minutash lojë, romanët e gjetën veten në dizavantazh teksa Duda përfitoi nga një top i mbetur në zonë pas grushtimit të Rui Patricio-s. Jo vetëm kaq, në fundin e pjesës së parë, Verona me një zbritje të shpejt në sulm kapi “mat” kryeqytetasit duke shënuar dhe golin e dytë.
Me fillimin e pjesës së dytë, Mourinho bëri 4 zëvendësime të shpejta, mes tyre hodhi në fushë edhe afrimin e verës, Aouar, ishte pikërisht mesfushori algjerian që ngushtoi shifrat në 1-2. Roma u përpoq deri në fund të shmangte këtë humbje, por ishin dhe të pafat, teksa Pellegrini goditi traversën. Jo vetëm humbja e pësuar, Roma shqetësohet për dëmtimin e Dybala-s. Në këto kushte, gjetja e një sulmuesi të ri është kthyer në domosdoshmëri për Romën.
Në fakt, Mou e ka gjetur, i përzgjedhuri është Romelu Lukaku, por topi i kalon edhe një herë drejtuesve të klubit për të mbyllur sa më shpejt këtë transferim. Chelsea kërkon 10 milionë euro për huazimin, ndërsa Roma ofron 5 milionë plus 2 bonuse. Lukaku është gati të ul pretendimet e tij për pagën, 7,5 milionë euro pritet të përfitojë në kryeqytet. Mourinho shpreson që të ketë në dispozicion Lukakun për sfidën e radhës, atë kundër Milanit më 1 shtator.
“Roma humbet 2-1 në Verona, Mou i duhet patjetër Lukaku”, shkruan Corriere dello Sport në faqen e parë.