MENU
klinika

Kësti i dytë për të moshuarit

Reformë në pagesën e pensioneve, çfarë pritet në shtator

29.08.2023 - 11:45

Për pensionistët do të ketë një këst të dytë që vjen nga taksa e jashtëzakonshme e energjisë. Qeveria ka vendosur gjithashtu të indeksojë me inflacionin të gjitha pensionet, duke filluar nga fundi i shtatorit të këtij viti, ndërsa është lajmëruar edhe një reformë në pagesën e pensioneve me qëllim rritjen graduale të tyre. Sipas ekspertëve, rritja e pagave po thellon pabarazinë ndërmjet pensionistëve, familjeve me ndihmë ekonomike ndaj pjesës tjetër të popullsisë. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2022 pensioni mesatar në qytet ishte sa 44.4% e pagës mesatare. Diferenca ndërmjet pensionit dhe pagës mesatare është edhe më thellë për fshatin. Në vitin 2022 pagesa mesatare mujore për fshatin ishte sa 35% e pagës mesatare në shkallë vendi. Sipas përcaktimeve të INSTAT, që bazohen në metodologji ndërkombëtare, një pensionist konsiderohet i varfër nëse pagesa mujore është më pak se gjysma e pagës mesatare në shkallë vendi. Pensionistët shqiptare në pjesën dërrmuese, marrin pagesa shumë më të ulëta se kufiri i varfërisë në Shqipëri (6.7 USD në ditë), por pensionet shënuan rënie të fortë si rrjedhojë e inflacionit të lartë. Gjatë vitit 2022 është indeksuar pensioni me 9.5%, pavarësisht se gjithë inflacioni u konsiderua jo më shumë se 7%. Këtë vit, janë 650 mijë pensionistë që do të përfitojnë nga të ardhurat prej 4.1 miliardë lekësh, që janë mbledhur gjatë muajit mars nga taksa e jashtëzakonshme e energjisë. Qeveria shqiptare iu shpërndan pensionistëve në shtator, në formën e një bonusi, këstin e dytë të këtyre të ardhurave.

Paralajmërimi i qeverisë
Ndërkohë, kujtojmë se ishte zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, ajo e cila pak kohë më parë deklaroi se pensionet do të indeksohen në muajin shtator. Ajo tha se do të marrin edhe bonusin e dytë nga fondi i siguruar nga taksa e jashtëzakonshme nga prodhuesit e energjisë. “Kemi bërë një program sa i takon rritjes së pagave, e cila do arrijë në 900 euro në këto vite, duke nisur më profesionet me esenciale dhe për të vazhduar pastaj me gjithë administratën. Pa lënë dhe pensionistët mënjanë. Ne vitin e kaluar kemi indeksuar pensionin me 9.5 %. Do ketë një indeksim të ri të pensioneve në fund të shtatorit të këtij viti në bazë të inflacionit”, tha ajo. Sipas Ballukut, të ardhurat prej 4.1 miliardë që janë mbledhur nga taksa e jashtëzakonshëm e energjisë, janë vendosur që të shpërndahen tek pensionistët me bonus prej 5 mijë lekësh shtesë.“Do merrni dhe këstin e dytë, që ka të njëjtën vlerë me atë të muajit prill dhe më pas në shtator, përveç indeksimit, do të merrni edhe bonusin e dytë që vjen nga pjesa e dytë e taksimit të jashtëzakonshëm. Është në politikën tonë që ne do të kujdesemi për pensionistët”, deklaroi Balluku.

Rama: Nëse zbulimi i Shpiragut funksionon, pensionistët të parët që do përfitojnë
Nga ana tjetër, edhe kryeministri Edi Rama, pak ditë më parë theksoi se nëse në malin Shpirag do të zbulohet naftë të parët, që do të përfitojnë do të jenë pensionistët. Këtë e bëri më dije në një konferencë për shtyp, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve nëse do të ketë rritje të pensioneve. “E kam shpjeguar 100 herë që rritja e pagave dhe pensioneve nuk vijnë nga i njëjti drejtim. Kështu që gropa e trashëguar e pensioneve është gropa më e thellë e më e gjerë sepse shkon edhe përtej vetë periudhës demokratike. Kështu që për pensionet, për një rritje të konsiderueshme të pensioneve jemi akoma jo aty, ndërkohë që shpresojmë, urojmë që zbulimi i Shpiragut të funksionojë dhe atëherë sigurisht që nga ai zbulim, të parët që do përfitojnë do jenë pensionistët”, deklaroi Rama.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Analiza nga "AlJazeera"/ Mosha e vjetër, e pasur me përvojë!

A mund të sjellë plakja e popullsisë një bum ekonomik?

Kompensim shtesë për ata që përfitojnë pension invaliditeti

Afatet për tërheqjen e shpërblimit me rastin e festave të fundvitit