Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla, është shprehur optimiste se mund të arrihen suksese në dialogun me Serbinë deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, Gërvalla u përplas me homologun e saj nga Serbia, Ivica Daçiç, i cili përsëriti kërkesën që fillimisht të themelohet Asociacioni dhe pastaj të ketë lëvizje drejt normalizimit në dialog.
“Unë besoj se kemi gjasa të mira për të arritur sukses në dialog shumë më herët se kaq. Jemi të përkushtuar që të punojmë në këtë drejtim. Kryeministri përmendi pranverën e radhës”, tha ajo.
Kete qendrim e mbeshteti edhe i derguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ku theksoi se normalizimi mund të ndodh brenda pak muajsh nëse ka vullnet dhe përkushtim për zbatim të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.
“E dimë se çfarë duhet të bëhet kemi marrëveshjen e shkurtit dhe të marsit dhe mund të implementohen sapo të ketë vullnet dhe përkushtim politik brenda disa muajsh”, tha ai.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç u shpreh se ishte skeptik për progresin në dialog mes dy vendeve.
“Vetëm se duhet të marrë përgjigje se çfarë do të ndodh me marrëveshjet paraprake që i kam nënshkruar para 10 viteve. Çka është qëllimi i gjithë atyre…Dialogu është çështje e normalizimit, çdo marrëveshje me Prishtinën ka qenë neutral ndaj statusit. Mund të qeshni sa të doni, sigurisht keni jetuar në Jugosllavi dhe jo në mars. Tash po flasim për dialogun për normalizim apo për statusin. Ne jemi konstruktiv duam të marrin pjesë por së pari është asociacioni dhe para kësaj nuk mund të ecim më tutje. S’mund ta shmangim”, tha ai.
Gërvalla më pas theksoi se me këtë qasje nuk mund të ketë lëvizje përpara. Po ashtu shtoi se Kosova është e gatshme dhe përgatitur për anëtarësim në BE deri në vitin 2030.
“Nëse kërkon arsye që mos të lëvizësh ka, gjithmonë është lehtë që të gjendet. Prirem që të marrë seriozisht këtë përgjigje, pasi 2030 është një synim që ne mund të punojmë dhe përgatitemi kur BE-ja të jetë e gatshme që mos të ndryshojë më datën për zgjerim”, tha ajo.