Quajeni ndeshjen e jetës! Partizani luan sot një nga 90- minutëshit më të rëndësishëm të historisë së tij në kompeticionet europiane. Klubi i vetëm shqiptar që ka fituar një trofe ndërkombëtar (Kupa e Ballkanit 1970) ka shansin të marrë pjesë për herë të parë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Humbja 1-0 në ndeshjen e parë në Kazakistan ndaj Astanës sigurisht që ua vështirëson misionin “demave”, por kjo është nga ato ndeshje, ku duhet një sforco nga të gjithë dhe veçanërisht nga ata janë në fushë si protagonistë kryesorë: futbollistët. Luhen miliona euro dhe prestigj, në një takim ku Partizani mund të hapë një cikël, pikërisht atë që bëri Skënderbeu i disa viteve më parë, që u kualifikua dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Europës.
Përtej forcës së kundërshtarit dhe humbjes minimale, asgjë nuk është e pamundur për “demat” në sfidën që nis sot në orën 20:00 në stadiumin “Elbasan Arena”. Mesa duket ky impiant lidhet shumë me disa ngjarje historike të futbollit shqiptar në dekadën e fundit, pasi nga aty Shqipëria vulosi kualifikimin për herë të parë në Europian, ndërsa Skënderbeu shkoi dy herë në fazën e grupeve duke luajtur në Elbasan. Tashmë radhën e ka Partizani që ky stadium t’i sjelli fat. Këtë herë arma plus janë tifozët e kuq, të cilët nuk e braktisën klubin legjendar as kur preku fundin me rënien në Kategorinë e Dytë.
PËRFITIMET – Klubi i Partizanit ka të sigurta deri më tani 1 milion e 410 mijë euro të arkëtuara për rrugëtimin që ka bërë në Europë, teksa e nisi nga Liga e Kampioneve dhe më pas vijoi në Ligën e Konferencës. Kalimi i dy tureve në këtë kompeticion e dërgoi në fazën “play off” me një rekord absolut për ekipet shqiptare, që ishin katër fitoret radhazi. Në bazë të bonuseve që jep UEFA për skuadrat që kualifikohen në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, me një llogari të thjeshtë “demat” do të arkëtonin në total 3 milionë e 340 mijë euro. Natyrisht që për një klub shqiptar ky është një shpërblim i jashtëzakonshëm, që të jep një siguri financiare për të ardhmen, por edhe luksin për të ngritur nivelin dhe menaxhuar mësë miri të ardhurat për të tjera suksese.