Hungaria dhe Serbia pas sabotimit të Nord Stream kanë paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar se do të konsiderojnë çdo kërcënim ndaj sistemit të furnizimit të gazit nga Federata Ruse si një pretekst për luftë. Kryeministri hungarez Viktor Orban në një bisedë me gazetarin amerikan Tucker Carlson, e ka cilësuar si akt terrorist sabotimin e Nord Stream dhe mungesën e një reagimi të ashpër nga Gjermania e quajti “shfaqje të mungesës së sovranitetit”. “Budapesti menjëherë e bëri të qartë se ekziston një gazsjellës tjetër jo Rryma e Veriut, por Rrjedha e Jugut, përmes të cilit gazi dërgohet nga Rusia përgjatë korridorit jugor, në Turqi, Bullgari, Serbi, Hungari. Së bashku me kryeministren e Serbisë, ne kemi vënë në dukje se nëse dikush dëshiron të bëjë me korridorin jugor të njëjtën gjë që është bërë me atë verior, atëherë do ta konsiderojmë një pretekst për luftë, sulm terrorist dhe do të përgjigjemi menjëherë”, tha kryeministri hungarez. Orban gjithashtu bëri thirrje për braktisjen e planeve të tilla, pa treguar se kujt i drejtohej saktësisht paralajmërimi i tij, duke specifikuar se nuk ishte Federata Ruse. “Ndoshta mund ta bësh këtë me gjermanët, por nuk mund ta bësh me këtë rajon”, tha ai me vendosmëri. Sipas tij, “gjithçka ishte në rregull përpara vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë dhe dëmtimit të Rrjedhës Veriore”. Orban deklaroi gjithashtu se Budapesti tani po kërkon rrugë të reja të furnizimit me gaz, para së gjithash, përmes Rrjedhës Turke.
Ndizen reagime
Një shembull i vërtetë i asaj që autokratët Orban dhe Vuçiç u bëjnë qytetarëve të tyre. Ata bëjnë deklarata bombastike, “të guximshme”, ndërsa në fakt nuk u bëjnë asgjë”, tha për Danas, Dragan Shormaz, themelues i Këshillit Euro-Atlantik të Serbisë. “Unë supozoj se kryeministri i Hungarisë nuk është sharlatan, se nuk është gënjeshtar dhe meqë nuk kemi dëgjuar një mohim të fjalëve të tij nga Vuçiç, ai thotë se deklarata e tij është e saktë. Megjithatë, nuk ka “Rrjedha e Jugut”, por “Rrjedha Turke”. Ai tubacion është biznes i Rusisë dhe Turqisë, dhe ne jemi blerësit e gazit rus që na dërgohet përmes atij gazsjellësi. Nëse, për shembull, BE-ja do të vendoste sanksione për tregtinë e gazit, Bullgaria do të mbyllte degën e saj dhe Hungarinë, dhe ne nuk do të mund të dërgonim më gaz atje”, shpjegon Shormaz. Siç shton ai, Ukraina është nën sulm, Putini po vret popullsinë e tyre, po vret fëmijë, po shkatërron qytete, po shkatërron burimet e energjisë, po bombardon portet… “Ukraina ka të drejtë të sulmojë dhe të shkatërrojë gjithçka ruse që mundet, përfshirë atë gazsjellës! Çfarë do të bëjnë Orban dhe Vuçiç?! Të hysh në luftë me Ukrainën?! Qesharake, ata do të sundonin për një ditë! Për të mos ditur, si në rastin e rrymës veriore, kush e ka bërë sabotimin, kush do të sulmohet”, thotë eksperti. Siç përfundon ai, kjo deklaratë është një shembull real i asaj që autokratët Orban dhe Vuçi?ç u bëjnë qytetarëve të tyre, ata bëjnë deklarata bombastike, “të guximshme”, por në fakt veprimet e tyre nuk janë asgjë, zbrazëti, dobësi.
Vuçiç dhe Orban
Kryeministri hungarez Viktor Orban dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk janë dy politikanë liberalë që u intereson demokracia apo liria e medias, por dy kamaleonët që i ndryshojnë qëndrimet sipas rrethanave. Kështu thuhet në një shkrim analitik të publikuar në britaniken “The Guardian” disa kohë më parë, ku i bëhet thirrje Bashkimit Europian që të mbrojë parimet e veta dhe të mbikëqyrë me kujdes bashkëpunimin mes dy liderëve. Në analizë thuhet se dy miqtë e ngushtë u mëshojnë ndjenjave nacionaliste në vendet e tyre dhe në të njëjtën kohë përpiqen të ruajnë lidhjet me aktorët kyç të Bashkimit Europian. Në shkrim vihet në dukje se dy liderët nuk kanë marrë drejtimet politike të deklaruara më parë. Nga simbol i demokracisë, Orban është kthyer në përfaqësuesin më të zëshëm të politikave nacionalisto-populiste, ndërsa Vuçiç është bërë një pro-europian i arsyeshëm e i distancuar nga politikat luftarake të Serbisë vetëm në pamje të parë. Më tej në analizë i bëhet thirrje BE-së, si mekanizmi i vetëm që mund të parandalojë nacionalizmin dhe demagogjinë në këtë pjesë të Europës, të përdorë presionin për të shmangur një rrëshqitje në të kaluarën dhe në rikthimin e tendencave për ndryshimin e kufijve.