MENU
klinika

25 emrat për Çekinë dhe Poloninë

Sylvinho me dy risi në Kombëtare, afrohen Daku dhe Muja!

01.09.2023 - 12:46

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka detyrë të vështirë në muajin shtator, teksa për kualifikueset e Euro 2024 luan kundër Çekisë në transfertë dhe Polonisë në Tiranë. Duelet e datës 7 dhe 10 janë deçizive për kuqezinjtë, që kërkojnë një vend për në finalet e Europianit të Gjermanisë.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Sylvio Mendes Campos Junior do të udhëtojë në transfertën e Pragës, ku do të luajë me Republikën Çeke më datën 7 shtator, ndërsa tre ditë më pas më 10 shtator është sfida e dytë me Poloninë, që do të luhet në stadiumi “Air Albania” të Tiranës. Dy ndeshje me shumë peshë në objektivin e Shqipërisë për t’u kualifikuar për në finalet e Euro 2024.

Për këtë, trajneri Sylvinho ka bërë me dije edhe 25 emrat e ftuar për këto duele. Risi për kuqezinjtë, që shohin në sulm për herë të parë Arbnor Mujën e Antwerp dhe Mirlind Dakun e Rubin Kazan.

Në ftesat e fundit, bien në sy rikthimet e Arlind Ajetit dhe Odise Roshit, teksa mungon Armando Sadiku dhe Amir Abrashi. Mungesë e madhe për kuqezinjtë është ajo e Armando Brojës, yllit të Chelsea që vijon të jetë i kushtëzuar nga një dëmtim.

Porta me tre emra i takon Berishës, Strakoshës dhe Kastratit. Në mbrojtje bëjnë pjesë Gjimshiti, Ismajli, Ajeti, Balliu, Hysaj, Mitaj, Mihaj dhe Veseli. Në mesin e fushës braziliani i stolit do ketë të gatshëm Roshin, Ramadanin, Bajramin, Asllanin, Baren, Laçin dhe Gjasulën.

Në sulm, një ftesë për herë të parë kanë marrë Mirlind Daku dhe Arbnor Muja. Veç tyre, Cikalleshi, Muçi, Uzuni, Asani dhe Seferi do kërkojnë një vend titullari.

Kombëtarja do të nisë zyrtarisht përgatitjet ditën e hënë, datë 4 shtator, me kuqezinjtë që do të grumbullohen në Tiranë dhe stërvitjet do të zhvillohen në Shtëpinë e Futbollit. Sakaq, në prag të grumbullimit trajneri Sylvinho do të dalë në konferencë për mediat ditën e shtunë për të folur në lidhje me zgjedhjet e tij dhe objektivat për dy nga sfidat më të rëndësishme në këto kualifikuese.

Për grupin E kualifikues të Euro 2024, Çekia me shtatë pikë mban vendin e parë, ndjekur nga Shqipëria me gjashtë pikë dhe Moldavia me pesë pikë (një ndeshje më shumë). Polonia mban vendin e katërt me tre pikë dhe Ishujt Faroe në fund me një pikë.