Individët të cilët kanë të paktën 12 muaj të punësuar dhe që ndërpresin marrëdhëniet e punës, kanë të drejtë të përfitojnë pagesë papunësie. Kjo pagesë, varion në bazë të kohëzgjatjes që ka në punë një person i caktuar, ku përfitimi është 3 muaj për një vit pune, 6 muaj për 3 vite punë dhe 12 muaj për më shumë se 5 vite kontribute të derdhura në sigurimet shoqërore. Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, deri në muajin korrik, shpenzimet e buxhetit të shtetit për pagesën e papunësisë kanë arritur në 475 milionë lekë, apo 53 % e fondit total të programuar për 2023-shin.
Ndërkohë, nëse do ti referohemi vitit 2022, sipas të dhënave zyrtare, është vënë re një rënie e ndjeshme e numrit të përfituesve të pagesës së papunësisë nga 2,914 punëkërkues të papunë përfitues që rezultonin në janar 2022, ky numër u ul në 2,307 pu.pa në muajin dhjetor 2022.
Në skemën e pagesës së papunësisë gjatë periudhës 12-mujore të vitit 2022 kanë hyrë mesatarisht 418 përfitues çdo muaj, ku peshën specifike më të madhe e zënë personat që vijnë nga zvogëlimi i aktivitetit ose prishje e kontratave të punës. Ndërkohë, si rezultat i mbarimit të afatit të trajtimit, nga skema e pagesës së papunësisë kanë dalë mesatarisht 468 përfitues çdo muaj.
Bazuar në periudhën e përfitimit vihet re se numri më i lartë vazhdon t’i përkasë periudhës së përfitimit prej 12 muaj. Kjo për dy arsye: periudha e kontributeve mbi 10 vjet dhe grupmosha mbi 55 vjeç për gratë dhe mbi 60 vjeç për burrat. Vërehet gjithashtu se këto dy grupmosha vazhdojnë të zënë dhe numrin më të madh të përfituesve të së ardhurës nga papunësia në total.
Çdo përfitues i pagesës papunësie merr një nivel bazë, i cili është sa 50% e pagës minimale ne shkalle vendi. Bashkë me pagesën e papunësisë, individët përfitojnë edhe shtesën familjare prej 5 % mbi nivelin bazë, për fëmijët deri ne moshën 18 vjeç që janë të përfshirë në sistemin arsimor, dhe ata që studiojnë apo janë të paaftë për punë (KMCAP) që kanë mbushur moshën 25 vjeç.