Në konferencën për mediet, para ndeshjeve kundër Çekisë dhe Polonisë të vlefshme për kualifikueset e Euro 2024, trajneri i Kombëtares, Sylvinho ka treguar edhe katër emrat nga Superliga shqiptare që janë në vëmendjen e stafit të tij.
Andi Hadroj dhe Arinaldo Rrapaj të Partizanit, Alen Sherri i Egnatias apo edhe Redi Kasa që dy ditë më parë la rrogozhinasit dhe firmosi në Slloveni për Olimpijan e Ljubjanës, janë cekur nga trajneri.
“Kemi parë me stafin Partizanin, Tiranën dhe Egnatian në Europë. Ka lojtarë të mirë në ligën lokale. Nuk kemi bërë publike listën me 51 emrat që janë në pritje. Di që për mua nuk ka lojtarë që janë në listë ose jashtë. Nuk është kjo diferenca. Për shembull, Hadroj ishte dy herë me ne dhe është përmirësuar, është i fortë dhe do ketë mundësinë. Rrapaj, Sherri, Kasa, janë lojtarë të mirë. Momenti nuk është i duhuri, por kanë kohë për të ardhmen. Krahasimi me lojtarët vendas dhe të huaj nuk vlen, duhen lojtarët më të mirë të mundshëm për momentin”, tha trajneri i Kombëtares.