MENU
klinika

Rikthehet TVSH?

Arsimi privat/ Ekspertët: Do shtrenjtohet pagesa

04.09.2023 - 12:48

E ndërsa viti i ri shkollor po afron Ministria e Financave kërkon të rikthejë TVSH-në në arsimin jopublik.

Sipas ekspertëve kjo do të rrisë me 20 % pagesat për të gjithë prindërit që kanë zgjedhur të arsimojnë fëmijët e tyre në shkollat jopublike, por që do të kishte pasoja për cilësinë e arsimit në tërësi në Shqipëri, pasi një pjesë e mirë do të vendosin t’i heqin nga arsimi jo publik .

“Është një goditje e madhe që i jepet pasi të paktën në këtë shkollë ku jemi 2 në 3 fëmijë e ka prindin mjek që është me valixhe në dorë e me sytë nga dera. Nëse u rrit faturën, po u thua ikni. TVSH-ja është taksë për konsumatorin kështu që prindërit do ta paguajnë”-shprehet Ermal Hasimja, kreu i shoqatës së shkollave jo publike.

Numërohen mbi 82 mijë nxënës që frekuentojnë shkollat jo publike, por nëse një pjesë e mirë do të heqin dorë nga shkollat jopublike për shkak të pamundësisë për të paguar, a përballojnë shkollat publike një fluks nxënësish si me infrastrukturë por edhe me mësues?

“Do të duhet të paktën të ndërtohen 6 shkolla të reja për të pritur ata nxënës që do të largohen”-shprehet Ermal Hasimja.

Ministria e financave justifikohet se rikthimi i TVSH-së është një kërkesë e FMN pasi i konsideron të pasur ata qe shkollojnë fëmijët në shkolla jopublike, nëse mund të quhet i tillë një mjek, një mësues apo një inxhinier i cili zgjedh cilësinë dhe kohëzgjatjen e qëndrimit të fëmijës në shkollë, por Financat harrojnë nga ana tjetër se bien ndesh me direktivat e BE-së.