MENU
klinika

Vetëm 26 vjeç

Vritet me armë zjarri futbollisti i kombëtares së Panamasë

05.09.2023 - 16:44

Mbrojtësi i Kombëtares së Panamasë në futboll, Gilberto Hernandez ka mbetur i vdekur pasi u qëllua me armë zjarri në qytetin e Colon të dielën, tha në një deklaratë Panama Football League.

Hernandez luajti për Club Atlético Independiente de La Chorrera dhe bëri dy paraqitje ndërkombëtare pasi bëri debutimin e tij në mars. Ndeshja e tij e fundit për klubin ishte më 23 gusht, një fitore 3-1 ndaj Real Estelí FC në Kupën e Amerikës Qendrore.

“Liga e Futbollit të Panamasë shpreh keqardhje për humbjen e dhimbshme të Gilberto Hernandez, një lojtar i Club Atlético Independiente, në një akt të izoluar dhune në qytetin e Colón, i cili gjithashtu la disa të plagosur”, thuhet në deklaratën e ligës.

Mbrojtësi 26-vjeçar është futbollisti i dytë nga ekipi kombëtar panamez që mbetet i vrarë në Colon në gjashtë vitet e fundit. Autoritetet njoftuan të hënën arrestimin e një të dyshuari për vrasjen.

“Ai ishte me miqtë e fëmijërisë dhe ata planifikonin të shkonin në plazh pasdite kur ndodhën të shtënat”, ka thënë një punëtore në një restorant aty pranë, e cila dha vetëm emrin e saj si Rosa, nga frika e hakmarrjes nga bandat. “Ne jemi të trishtuar, rruga është një tmerr. Krimi është në një nivel tjetër”.

Provinca Colon e Panamasë, me një popullsi prej rreth 300,000 banorësh, regjistroi 102 vrasje vitin e kaluar, nëntë më pak se një vit më parë, sipas të dhënave të qeverisë. Autoritetet fajësojnë për pjesë e madhe të dhunës konkurrencën e trafikut të drogës. Provinca ka vuajtur historikisht papunësi të lartë dhe nivele të larta varfërie. Banorët thonë se të shtënat si ai që vrau Hernandez janë bërë rutinë.