Shqipëria e futbollit do luajë të diel kundër Polonisë në “Air Albania”. Sfida e orës 20:45 vlen për grupin E kualifikues të Euro 2024, me kuqezinjtë që para këtij dueli udhëtojnë drejt Pragës, ku luajnë me Çekinë po për “Gjermani 2024”.
Për ndeshjen që luhet në Tiranë, janë konfirmuar të paktën 1200 ultras polakë. Të njohur për ashpërsinë dhe përleshjet në stadiume, duket se policia dhe security në kryeqytetin tonë do kenë një punë të vështirë për menaxhimin e tyre.
Hera e fundit që ultrasit e Polonisë ishin në Shqipëri, daton në 12 tetorin e 2021, kur për kualifikueset e Botërorit kuqezinjtë humbën 0-1 me një gol të Karol Swiderski në të 77 minutë.
Në atë duel ultrasit e Polonisë shkaktuan kaos, duke hedhur sende të forta kundrejt tifozëve të Shqipërisë, duke qenë se ishin në katin e dytë të stadiumit. Veç kësaj, me futjen e policisë në sektorin e tyre për të qetësuar situatën, polakët që njihen për huliganizmin e tyre u përleshën edhe me policinë.
Veç tyre, precedentët e përballjes së skuadrave shqiptare me ato polake janë disa, kur kujtojmë se tifozët e Legias së Varshavës shkaktuan kaos asokohe në “Qemal Stafa”, në përballjen e tyre me Kukësin për ndeshjet evropiane.
Kujtojmë se ultrasit e Polonisë shkaktojnë zhurmë dhe kaos në thuajse çdo stadium ku shkojnë në udhëtim, duke përmendur edhe rastin e muajve më parë në “Wembley” të Londrës, ku përleshja e tyre me policinë angleze ishte e madhe.