Formula 1 zhvilloi fundjavën që lamë pas Çmimin e Madh të Italisë. Në pistën e Monzas fitoi piloti i Red Bull Max Verstappen, duke lënë pas shokun e skuadrës Sergio Perez dhe më pas pilotin e Ferrarit, Carlos Sainz. Spanjolli i italianëve rikthen në podium pas disa kohësh “Kokëkuqen”, teksa pas garës ka pasur polemika në bokset e Ferrarit.
Sainz u nis nga pozita e parë, duke mos i bërë ballë Verstappen, ndërsa në fund doli vetëm i treti, duke mos lëshuar “pe” ndaj shokut të skuadrës, Charles Leclerc. Fundi i garës ishte i ashpër për dy pilotët e Ferrarit, me Sainz që nuk i hapi rrugë Leclerc (vendi 4).
Në skuderinë e kuqe nuk e donin një duel të tillë, që mund të sillte edhe ndonjë përplasje mes tyre. Për këtë ka menduar edhe i ati i Carlos Sainz, që flet për trajtim jo të barabartë mes pilotëve nga drejtuesit e Ferrarit.
“Është një situatë shumë “interesante” te Ferrari. Ndryshojnë sjellje për punë sekondash dhe si përfundim është gjithnjë djali im ai i cili duhet të marrë leje për të sulmuar. Është gjithnjë Carlos ai i cili nuk e kupton kurrë pse kur është pas Leclerc nuk mund të parakalojë. Ndryshe ndodh për Leclerc, kur ai është pas nuk e detyron askush të qëndrojë aty dhe i lejohet rrugë e lirë. Megjithatë, nuk ka problem, unë i gëzohem vendit të tretë në Itali. Djali im e mbylli në podium dhe e meritoi plotësisht”, tha babai i spanjollit.
Kujtojmë se Max Verstappen është rrugës për titullin e tretë kampion bote, duke lënë pas me shumë pikë kundërshtarët (145 pikë para Perez). Me rekordin e dhjetë fitoreve radhazi, Verstappen duket me një dorë te titulli kampion.