Nga Marsela Shytia
Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un po përgatitet të udhëtojë në Rusi për t’u takuar me liderin rus Vladimir Putin për të diskutuar mbi shitjen e armëve në Moskë, tha ditën e djeshme një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë. Një takim midis Kim dhe Putin do të forconte ndjeshëm lidhjet ushtarake midis Rusisë dhe Koresë së Veriut, pasi trupat pushtuese ruse kërkojnë të frenojnë kundërsulmimin çlirimtar ukrainas në Ukrainën jugore dhe lindore. Uashingtoni është gjithnjë e më i shqetësuar për mundësinë e një tregtie në rritje të armëve midis Moskës dhe Phenianit në një moment kritik në konfliktin e Ukrainës dhe më parë ka shprehur shqetësim. Lajmi për planin e Kim për të vizituar Rusinë në fund të këtij muaji për të diskutuar mbi armët vjen ndërsa forcat ukrainase kanë filluar të avancojnë kundërofensivën e tyre për të shtyrë forcat ruse jashtë vendit të tyre, me të dyja palët që po mbarojnë me shpejtësi rezervat e municioneve për shkak të granatimeve të rënda të artilerisë.
SHBA në alarm
“Muajin e kaluar, Sergei Shoigu, ministri i mbrojtjes i Rusisë, udhëtoi për në DPRK (Republika Popullore Demokratike e Koresë), për t’u përpjekur të bindë Phenianin që t’i shesë municion artilerie Rusisë,” tha Adrienne Watson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë. “Ne kemi informacione se Kim Jong-un pret që këto bisedime të vazhdojnë dhe të përfshijnë angazhimin diplomatik në nivelin e liderëve në Rusi”, siç raportohet nga “Financial Times”. Javën e kaluar, John Kirby, kreu i komunikimit strategjik i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, u tha gazetarëve se Kim dhe Putin kishin shkëmbyer letra, duke premtuar thellimin e bashkëpunimit. Kirby përshkroi gjithashtu kushtet e marrëveshjeve të mundshme midis 2 liderëve. “Rusia do të merrte sasi të konsiderueshme dhe lloje të shumta municionesh nga DPRK për përdorim nga ushtria ruse në Ukrainë. Këto marrëveshje të mundshme mund të përfshijnë gjithashtu prokurimin e lëndëve të para për të ndihmuar bazën industriale të mbrojtjes ruse,” tha Kirby.
“Pakti i ferrit”
New York Times raportoi fillimisht se zyrtarët e SHBA dhe aleatëve besojnë se Kim pret të vizitojë Rusinë dhe të takohet me Putinin. Lideri i Koresë së Veriut, sipas këtyre shkrimeve, planifikon të udhëtojë drejt Rusisë me tren të blinduar për një takim që ndoshta do të zhvillohej në Vladivostok. Një marrëveshje e re armësh midis Kim dhe Putin do t’i jepte Phenianit një rol shumë më të rëndësishëm në konfliktin e Ukrainës sesa ka pasur, por gjithashtu do të theksonte vështirësitë me të cilat përballet Rusia në sigurimin e armëve që i nevojiten nëpërmjet prodhimit vendas dhe një grupi shumë të kufizuar aleatesh. Nëse vizita ndodh, ajo mund të çojë në vendosjen e sanksioneve të reja nga Uashingtoni, megjithëse Moska dhe Pheniani janë tashmë nën një regjim të rreptë të sanksioneve të SHBA.
Aleanca me Kinën
Lufta në Ukrainë e ka detyruar Kremlinin të rivlerësojë marrëdhëniet e tij me Phenianin, ndërsa Moska kërkon të sigurojë armë për të zëvendësuar rezervat e saj të varfëruara. Në këmbim, Koreja e Veriut shpreson të marrë valutë të vlefshme të huaja për të vazhduar financimin e zhvillimit të raketave balistike ndërkontinentale, një atu në përpjekjen e saj për të siguruar lëshime dhe njohje si një fuqi legjitime bërthamore nga SHBA. Megjithatë, lidhjet më të ngushta midis Moskës dhe Phenianit shkojnë përtej shkëmbimeve të tilla. Izolimi në rritje i Rusisë po e çon vendin në një drejtim të ri, shqetësues, pasi ajo kërkon të ndërtojë një front të bashkuar kundër Perëndimit “armik” dhe ky drejtim përfshin Kinën dhe tani, siç duket, Korenë e Veriut dhe ushtrinë e saj miliona. Ndërsa u shfaq lajmi për udhëtimin e mundshëm të Kim në Vladivostok, media raportoi se Pheniani mund të marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta detare me Rusinë dhe Kinën. Operacioni special ushtarak ka sjellë në një realitet të ri gjeopolitik në të cilin Kremlini dhe Koreja e Veriut mund të afrohen gjithnjë e më shumë, ndoshta deri në pikën e ringjalljes së marrëdhënieve që ekzistonin gjatë “Luftës së Ftohtë”.