Kryeministri Edi Rama dërgoi dje për dekretim në Presidencë emrat e ministrave të sapoemëruar.
Megjithatë, pritet që Presidenti i Republikës Bajram Begaj t’i dekretojë kur të kthehet nga Kazakistani, atje ku ndodhet në kuadër të një vizite shtetërore me ftesë të homologut të tij. Në bazë të Kushtetutës, kreu i shtetit ka 7 ditë kohë për t’u shprehur dhe për të dekretuar ministrat e rinj.
Kujtojmë se 7 ndryshimet në kabinetin qeveritar u deklaruan publikisht nga vetë Kryeministri Edi Rama, të hënën në mbledhjen e Asamblesë së PS-së. Më 4 shtator, Kryeministri Rama prezantoi dhe ndryshimet në kabinetin qeveritar. Nga ndryshimet e bëra u prekën 6 ministri, ndërkohë që u shkri Ministria për Standardet dhe Shërbimet. Ndërkohë u shtua një tjetër ministri pa portofol, Ministria e Pushtetit Vendor, e cila do të drejtohet nga Arbian Mazniku.
Shefi i qeverisë bëri me dije se posti i ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme do t’i besohet Igli Hasanit. Ogerta Manastirliu është larguar nga Ministria e Shëndetësisë dhe është emëruar si Ministre e Arsimit dhe Sportit. Ministrja Delina Ibrahimaj është zhvendosur nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave për të marrë drejtimin e Ministrisë së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
Në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë është emëruar Ervin Meta. Deputetes së PS Anila Debaj i është besuar posti i Ministrisë së Bujqësisë, ku do të zëvendësojë ishministren Frida Krifca. Ministër i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes Sociale është emëruar Albana Koçiu. Gjatë Asamblesë së PS-së, Edi Rama u shpreh i bindur se nuk ka arsye për për të kërkuar falje për personat brenda PS-së që “hanë pas shpine”, duke iu referuar arrestimeve të shumta të muajve të fundit nga radhët e kësaj force politike.
Në këtë mënyrë, kryesocialisti iu përgjigj zërave që e kritikojnë për qëndrimin e mbajtur për arrestimin e të ‘besuarve’ të tij në radhët e kabinetit qeveritar dhe Partisë Socialiste. Rama shprehet se nuk është përgjegjës për veprimet që sipas tij janë individuale, të zyrtarëve të PS-së të përfshirë në korrupsion.
Në fjalën e tij, Rama deklaroi ditën e hënë se PS nuk mund të bëhet mburojë e atyre që tradhtojnë besimin e tij dhe qytetarëve.
“Ma dëgjoni se janë shumë pak ato socialistë që thonë Rama të lëshon Rama s’të mbron. Kam një përgjegjësi morale. Përgjegjësia ime morale nuk është as të skuqem as të kërkoj ndjesë dhe aq më pak të zmbrapsem, sepse vetëm së bashku mund ta ngjisim Shqipërinë në majën ku e meritojnë shqiptarë. Kur i merr mendjen pushteti dhe paraja, tradhton jo vetëm besimin tim e tuajin, por edhe flamurin shqiptar! Nëse njëri e ka përdorur flamurin e PS-së si maskë për të vjedhur në të tjerët u dashka ta përdorim si letër higjienikë për të fshirë bajgat e korrupsionit! Jo, jo, jo! Përgjegjësia ime morale është mos lërë dy gurë bashkë që drejtësia në Shqipëri të ketë lirinë dhe pavarësinë që i duhet për të ndëshkuar çdolloj këlyshi të atij soji të vjetër politik. Jo se nuk kam asnjë ndjenjë tjetër përveç neverisë kur dëgjoj, jo po se mbrojti jo e lëshon, këdo që ka ngrënë pas shpinës sime, pas partisë e pas një populli të tërë”, tha ai.
Sipas tij, drejtësia duhet të bëjë punën e saj, ndërsa ata që përballen me të janë të vetëm. Rama shton se të korruptuarit kanë përdorur partinë për të vjedhur djersën e qytetarëve, por flamuri i kësaj force politike nuk mund të shërbejë për t’i mbrojtur.
“Borxhi im ndaj kësaj partie dhe njerëzve që na besojnë e na mbështesin, është të mos iu vërë juve kurrë në pozitë të vështirë, duke iu kërkuar gjëra të pahijshme”, tha Rama drejtuar kabinetit të tij.