MENU
klinika

Masat pas protestave

Qeveria miraton me vendim ‘Kartën e Studentit’

19.12.2018 - 14:50

Pas 16 ditësh protestash të studentëve, Qeveria më në fund ka miratuar një vendim, i cili ofron kartën e studentit, që ishte edhe një nga 8 kërkesat për të gjithë ata që ndjekin shkollën e lartë, shërbime publike me çmime të reduktuara ose falas.

Sipas aktit të propozuar nga Ministria e Arsimit, të gjithë studentët në universitetet e Shqipërisë do të pajisen me kartën e posaçme të studentit, përmes së cilës mund të përfitojnë një sërë lehtësirash financiare.

Por çfarë janë këto lehtësira?

Sipas vendimit, studentët do të përfitojnë strehim social, kurim falas nëpër spitale, si dhe do të kenë të paguara sigurimet shëndetësore.

Për studentët që janë prindër do të ofrohet regjistrim në çerdhe apo kopshte me tarifa të reduktuara për fëmijët.
Po kështu, të gjithë ata që ndjekin arsimin e lartë do të përfitojnë transport publik me lehtësi, përfshirë dhe atë ajror, hyrje falas në biblioteka, teatre dhe muze, si dhe kualifikime falas për qëllime punësimi.

Karta e studentit do të lëshohet nga Qendra e Shërbimit Arsimor, një institucion i posaçëm që pritet të ngrihet shumë shpejt. Qeveria nuk ka përcaktuar në vendim se, cilat shërbime do të jenë falas për studentët dhe cilat me tarifë të reduktuar.

Po kështu, ajo nuk ka vlerësuar as sesa do të jenë efektet financiare për buxhetin e shtetit nga këto lehtësira, çka pritet të përcaktohen më vonë.

Miratimi i Kartës së Studentit ishte një nga 8 kërkesat që studentët në protestë i kanë kërkuar Qeverisë.

Edhe pse miratimi i këtij dokumenti ishte premtuar kohë më parë, Ministria e Arsimit e hartoi draftin me urgjencë, vetëm pasi studentët nisën protestat në të gjithë vendin duke bojkotuar mësimin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN