MENU
klinika

Messi dhe Haaland favoritë!

‘Topi i Artë’/ ‘France Football’ publikoi 30 kandidatët

07.09.2023 - 16:25

Erling Haaland dhe Lionel Messi janë dy favoritët kryesorë për të fituar Topin e Artë për sezonin 2022-2023. Revista ‘France Football’, që akordon trofeun më prestigjioz individual’, ka publikuar listën me 30 futbollistët të cilët do pretendojnë trofeun deri më 30 tetor kur të dorëzohet në teatrin e Chatelet.

Haaland, sulmuesi i Manchester City-t, shënoi 52 gola në total në sezonin e parë në Angli, ndërsa arriti të fitonte trofetë e Premier League, Champions League dhe FA Cup. Norvegjezi synon ta bëjë përvetë këtë trofe për herë të parë në moshën 23-vjeçarë, ndërsa për Lionel Messi-n, rivalin e tij më të madh, do të ishte hera e tetë që fitonte këtë trofe. Absolutisht një rekord në kufinjtë e të pathyeshmit.

36-vjeçari, i cili tani është pjesë e Inter Miami në Amerikë, sezonin e kaluar luajti te Paris SG, por ajo që e vendos në listën e pretendentëve është fitimi i Botërorit me Argjentinën. ‘Pleshti’ realizoi 7 gola dhe ishte protagonist në trofeun më prestigjoz të globit. Megjithatë këtë herë e favorizoi fakti, që ‘France Football’ do marrë parasysh sezonin, pra 2022-2023 dhe jo vetëm vitin 2023, siç ndodhi në rastin e Benzema-s vitin e kaluar.

Megjithatë pjesë e listës me 30 futbollistë ka edhe emra të tjerë interesant. Barella është i vetmi italian, ndërsa Lautaro Martinez dh eish-portieri Onana bëjnë pjesë e kësaj liste. Edhe pse në gjysmëfinale asnjë lojtar i Milanit nuk është përfshirë, ndërsa te Napoli janë përzgjedhur Victor Osimhen dhe Kvicha Kvaratskhelia. Për të theksuar se pjesë e kësaj liste nuk janë futbollistë si Cristiano Ronaldo, Rashford, Enzo Fernandez apo Frenklie de Jong.

Për trofeun e topit të artë votojnë 100 gazetarët e sportit të 100 vendeve me renditjen më të mirë në FIFA.