Nga Andreas Dushi
Një ndër kryeveprat e Kadaresë, shumë e vlerësuar dhe falë së cilës autori u krahasua edhe me Franz Kafkën është “Pallati i Ëndrrave”. Për këtë vepër, Kadare rrezikoi shumë, fillimisht burgun e pastaj edhe jetën e tij. Lidhja e Shkrimtarëve e pa se libri i binte ndesh ideologjisë së Partisë, prandaj akuzoi autorin i cili u detyrua të bënte edhe një autokritikë e cila, sipas dëshmitarëve të kohës qe më tepër një kritikë ndaj atyre që gjykonin letërsinë në të tillë pikëpamje.
Ky libër trajton “Pallatin e Ëndrrave” ku shqyrtoheshin ëndrrat e të gjithë Perandorisë Osmane. Nëse dikush shihte një ëndërr “të papërshtatshme”, ai hetohej, torturohej e deri edhe mund të vdiste po të mos tregonte gjithçka që mund të kishte lidhje me të. Sipas eprorëve të Pallatit, ëndrrat ishin shenja nga Zoti ose lidheshin me diçka që personi i cili e kishte parë mund të kishte menduar për të rrëzuar pushtetin.
Motivin e torturave dhe burgosjes që vjen nga një ëndërr e shohim edhe te shkrimtari e akademiku kosovar Rexhep Qosja. Në tregimin “Deklarata” është pikërisht Xhezairi ai që e ka parë. I mërizut nga fakti që po burgoset për një ëndërr, ai thotë:
Duke mos e lejuar veten të lëshohem në supozime mistike, deklaroj, sa i përket ëndrrës, se jam fajtor jo për kuptimin e saj, po vetëm pse e kam parë. Dreqi e marrtë!
Nëse Kadare me “Pallatin e Ëndrrave” fshikullon në mënyrën më alegorike të mundshme sistemin komunist që në Shqipëri po bënte thuajse 40 vjet, Qosja me “Deklarata” sulom të gjithë ideologjinë e komunizmit jugosllav i cili me hipokrizinë e tij ndryshme thoshte e ndryshe vepronte.
Tortura falë një ëndrre është pak më e hershme se dy shkrimtarët e mëdhenj shqipfolës. Ajo daton me librin “1984” të autorit desident George Orwell. Sikurse dihet, shpesh herë Kadare është krahasuar edhe me këtë kryeautor të letërsisë botërore i cili shkroi sa mundi kundër rregjimeve dhe të padrejtave që politikanët bënin me popullin.
Kadare dhe Qosja të cilët patën debatin e njohur publik mbi identitetin e shqiptarëve, debat i cili u duk se i ndau përfundimisht, duket se bashkohen pikërisht në këtë motivacion: torturimin nga ëndrra.