Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi më 8 shtator se nuk ka kurrfarë diskutimesh lidhur me atë që serbët në veri të Kosovës “t’ua lëshojnë ndërtesat dhe pronat atyre të cilëve ato nuk iu përkisnin kurrë”, raportojnë mediat e huaja. Ai i bëri këto deklarata në ditën kur skadon afati për largimin e katër zyrtarëve të Serbisë nga një ndërtesë komunale në Mitrovicë të Veriut.
“Ne kemi treguar vullnet të mirë, kemi biseduar me përfaqësuesit e serbëve që të pranojnë dialogun për mbajtjen e zgjedhjeve në veri”, tha Vuçiç.
Autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar se deri më 8 shtator, katër institucione serbe duhet të largohen nga një objekt në Lagjen e Boshnjakëve, pasi kanë argumentuar se i përket komunës së Mitrovicës së Veriut. Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale prej kohësh përdorin këtë ndërtesë komunale.
Më tej Vuçiç iu referua dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe tha se do të udhëtojë në Bruksel të mërkurën ose të enjten për bisedime me delegacionin e Prishtinës.
“Është obligim për ne. Ne gjithmonë e kemi konsideruar dialogun si mënyrën e vetme për të zgjidhur problemet, dhe problemet vetëm po akumulohen”, tha Vuçiç.