Polonia pa frikë mund të cilësohet si “macja e zezë” e Shqipërisë në futboll. Kombëtarja evropiane na ka mposhtur 10 herë, teksa bilancet me polakët janë negative për kuqezinjtë.
Nëse i hedhim një sy përballjeve mes dy skuadrave, bilancet janë dukshëm në favor të Polonisë. 14 herë janë përballur skuadrat në histori, teksa Shqipëria ka marrë vetëm një fitore, ka barazuar tre herë dhe ka humbur dhjetë herë me Poloninë.
Në ditën e ndeshjes kundër skuadrës së Fernando Santos, FSHF është rikthyer në 31 tetorin e 1984, kur Polonia dhe Shqipëria barazonin 2-2 në stadiumin “Stali” në Mielec. Për grupin 1 kualifikues të Kupës së Botës, kuqezinjtë shënonin me Bedri Omurin dhe Agustin Kolën dy gola të bukur.