MENU
klinika

Arsyet

Pse Britania e ka kaq të vështirë diagnostikimin e kancerit

12.09.2023 - 13:37

Vonesat ishin problem edhe para Covid-it, virusit që bëri kërdinë në Britani duke vrarë shumë njerëz. Por në fillim të pandemisë ekspertët paralajmëruan se izolimi mund të vriste shumë më tepër njerëz. Shqetësimet ishin veçanërisht të forta për kancerin, pasi depistimi fillimisht u pezullua, testet rutinë diagnostike u shtynë dhe diagnoza e rasteve më pak të dukshme u vonua.

Parashikimet e zymta deri më tani duket se kanë qenë të sakta. Shkalla e vdekjeve nga kanceri është kthyer në nivelet e 20 viteve më parë, thotë Nicola Barclay, një studiuese në Universitetin e Oksfordit. Gjetjet paraprake të ekipit të saj sugjerojnë se në kancerin kolorektal, përqindja e pacientëve që mbijetojnë për të paktën një vit pas diagnostikimit ka rënë nga 79% pak para pandemisë, në 76%. Dëmi nuk mund të matet ende për kanceret që përparojnë më ngadalë, ose për sëmundjet me përparim të shpejtë, simptomat e të cilave mund të maskohen. Kolla e vazhdueshme karakteristike e kancerit të mushkërive, për shembull, është e ngjashme me një simptomë të zakonshme të Covid. Vdekjet e regjistruara si nga Covid gjithashtu mund të turbullojnë pamjen: disa mund të kenë pasur një tjetër shkak themelor të vdekjes.

Pandemia dhe bllokimet nuk janë shkaku i vetëm i problemeve të Britanisë në trajtimin e kancerit. Nga 18 vende të pasura, Britania tashmë kishte ndër normat më të këqija të mbijetesës pesëvjeçare për tre nga kanceret më të zakonshme: mushkëritë, zorrën e trashë dhe gjirin. Kishte më shumë vdekje nga kanceri për person se çdo vend tjetër i g7.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN