80% e maturantëve që kanë aplikuar për të ndjekur studimet e larta në Shqipëri , tashmë janë studentët më të rinj të Universiteteve publike dhe private. Pas mbylljes së raundit të parë të pranimeve, rezulton se pjesa më e madhe e të rinjve nuk kanë asnjë mëdyshje për degën e zgjedhur.
Në fazën aktuale të çregjistrimeve janë shumë të ulëta kërkesat e të rinjve për të ndryshuar programin e studimit. Ndërkaq degët më të kërkuara kanë mbyllur shumë më herët pranimet për shkak të kërkesave të larta nga maturantët.
Kryesojnë shkencat mjekësore për numrin më të lartë të aplikimeve dhe kuotave të realizuara, ndjekur nga degët e informatikës dhe inxhinieritë. Referuar të dhënave nga Rrjeti akademik, Universiteti i Tiranës mban vendin e parë për numrin më të lartë të studentëve të pranuar, por edhe programeve të studimit.
Mjekësia edhe pse renditet i dyti, degët e tij janë thuajse të plotësuara. Ndërsa vendin e tretë tashmë e mban Universiteti Politeknik me programet e inxhinierive dhe informatikës. Ndërkohë degët e mësuesisë, të shpallura prioritete kombëtar vijojnë të kenë pranime të ulëta 8% në rang vendi.
Nga universitetet e rretheve kryeson Durrësi më i kërkuari nga të rinjtë dhe kryesisht degët e ekonomisë, turizmit edhe psikologjisë. Ndërsa universiteti “Eqerem Cabej” në Gjirokastër renditet i fundit si institucioni më pak i kërkuar. Pas 14 ditësh regjistrime për degën e anglishtes në Gjirokastër është regjistruar vetëm 1 student ndërsa në Histori-Gjeografi dy studentë.
Një situatë e ngjashme është edhe në Elbasan me vetëm 1 student të regjistruar në degën e Bio-Kimisë dhe po 1 në degën Operator Turistik. Këto programe presin raundet e tjera apo shtesat për të rritur të shtura numrin e studentëve dhe për të shpëtuar nga mbyllja degët që me sa duket nuk kanë më interes për të rinjtë.