Sot në orën 09:00, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë do të kenë takime bilaterale me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell dhe emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Sipas agjendës së bërë publike nga BE-ja dje, pas takimeve bilaterale do të pasojë takimi i përbashkët Borrell, Lajçak, Kurti e Vuçiç.
Pas këtyre takimeve do të ketë edhe një deklaratë për media nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, i cili do të shpalosë detaje rreth takimit.
Kjo është hera e parë që Kurti e Vuçiç takohen që prej 2 majit dhe i pari prej përshkallëzimit të situatës në veri të vendit.
Pas shpërthimit të tensioneve në veri të vendit, s’janë mbajtur takime të nivelit të lartë, përveç atyre të nivelit teknik.
Dje, një ditë para takimit “të madh” janë ulur edhe pritjet e mëdha. Kurti ka kritikuar BE-në për sanksionet e padrejta, ShBA dhe BE kanë paralajmëruar masa të reja nëse nuk ka përparim në dialog dhe nëse palët nuk tregohen të përgjegjshme.
Çfarë pritet nga takimi i 14 shtatorit?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në prag të takimit të 14 shtatorit në Bruksel, ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin e njohur gjerman “Duetche Ëelle”.
Kurti për DË ka folur për shumë tema, përfshirë dialogun me Serbinë, takimin e radhës në Bruksel dhe masat e BE-së. Në intervistën e gjatë, Kurti ka vlerësuar se masat e BE-së po e dëmtojnë Kosovën.
Tutje, shefi i ekzekutivit vlerësoi se BE ka dëmtuar dialogun me masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Këto janë sanksione të cilat po na dëmtojnë neve, po na dëmtojnë sa i përket marrëveshjes se Stabilizim Asocimit, po na dëmtojnë sa i përket kredive dhe granteve dhe po na dëmtojnë sa i përket takimeve të nivelit të lartë. Merreni me mend, ministrit tim Nenad Rashiç i është anuluar takimi në Bruksel. Ai është serb nga Kosova, ministër në qeverinë time për fushëveprimtarinë e komuniteteve dhe kthimit. Por, ata nuk i kanë quajtur sanksione, por i kanë quajtur masa në mënyrë që mos të jenë të detyruar ti votojnë në Bashkimin Evropian. Po t’i hidhnin në votim, jam i bindur që shumica dërmuese e shteteve nuk do të ishin për, por e kanë përdorur një metodë të konsensusit të heshtur me një email që është dërguar nga Brukseli dhe na i kanë vendosur masat.” – theksoi Kurti.
“Tavolina në Bruksel në këtë mënyrë është dëmtuar dhe dialogu është dëmtuar me këto masa dhe unë besojë që sa më parë që të hiqen ato është mirë edhe për Bashkimin Evropian që prezanton vlera edhe për Kosovën që ka nevojë për zhvillim.” – shtoi Kurti
Ndërsa, emisari amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Gabriel Escobar, si disa ditë me parë presidenti francez, Emanuel Macron, ka paralajmëruar dy vendet se do të këtë pasoja nëse nuk shënojnë përparim në kuadër të dialogut.
Escobar për Zërin e Amerikës, ka përmendur si masa ndëshkuese ndaj Kosovës, çështjen e njohjeve të reja, konferencë donatorësh, dialogun strategjik me SHBA-në, dhe marrëdhëniet më të afërta me NATO-n.
“Tashmë po fillojmë t’i shohim pasojat. Megjithëse Kosova i quan sanksione, ato nuk janë vërtet sanksione – masat që BE-ja ka vendosur, për të mos vazhduar me disa nga mekanizmat e anëtarësimit, janë mjaft serioze. Edhe për Serbinë, do të jetë po kështu. Por, për Kosovën – mundësitë për njohje të reja, për konferencë donatorësh, për dialog strategjik dypalësh me Shtetet e Bashkuara dhe për një marrëdhënie të afërt me NATO-n. Fatkeqësisht, nëse nuk shënojmë përparim, do ta humbim këtë (mundësi) këtë vit. Edhe për Serbinë do të jetë shumë e ngjashme. Bashkimi Evropian do të dëshirojë të shohë shenja më të qarta nga Serbia se është e interesuar ta zbatojë këtë marrëveshje të normalizimit ndërkohë që vendos për përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt integrimit.” – ka thënë Escobar.
Paralajmërimi i presidentit Macron
Dy javë me parë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron në fjalimin e tij para ambasadorëve, teksa ka folur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ka paralajmëruar masa ndaj palëve nëse nuk veprojnë me përgjegjësi.
Presidenti francez ka përmendur çështjen e vizave dhe çështje të tjera ekonomike si zotime që mund të rishikohen nëse palët nuk sillen me përgjegjësi.
“Ne presim që paqja do të kthehet në këtë pjesë. Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.” – ka thënë Macron.