Këshilli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori ish-nëndrejtorin e përgjithshëm dhe ish-drejtor i kompensimit të agjencisë së trajtimit të pronave të Tiranës, të cilët kanë ushtruar postet në vitet 2014-2017
Njoftimi i KLSH-së:
“Ka marrë vendime për kompensim financiar në mungesë të vendimeve të ish-KKKP, dokumentacionit të kërkuar ligjor dhe t parregullta, ka bërë kompensime financiare jo sipas zërit kadastral që prona ka patur në kohën e shpronësimit.Ka ndryshuar gjendjen e llojit të pronës nga tokë arë, shkurre, tokë pa fryt në truall ,duke ndryshuar vlerën e kompensimit në dëm të shtetit, si pasojë e moszbatimit të procedurës së rregullt ligjore të vlerësimit financiar të vendimeve për kompensim me efekte financiare negative në fondin e kompensimit të ish-pronarëve n vlerën 736,006 mijë lekë. Ka kompensuar fizikisht më tepër me sipërfaqen totale prej 145735.6m2 (14.57 ha) arë, ka bërë rivlerësim të vendimeve administrative të formës së prerë në kundërshtim me Vendimit nr.1, datë 16.01.2017 të Gjykatës Kushtetuese dhe qëndrimit të Komisionit të Venecias nr.861/2016, CDL-AD (2016) 023.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr.724/2, datë 21.06.2018 të miratuar nga Kryetari, ka audituar Agjencinë e Trajtimit të Pronave (ATP), Tiranë, për periudhën Korrik 2016 deri në Prill 2018. Bazuar në Vendimin nr.190, datë 14.12.2018 të Kryetarit për shkelje të dispozitave ligjore të konstatuara, KLSH ka përcjellë për kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal, për ish-nëndrejtorin e Përgjithshëm dhe Drejtor i Kompensimit në ATP, sepse:
Në 1 rast (Vendim nr.163, datë 01.12.2016) u konstatua se; si pasojë e moszbatimit të procedurës së rregullt ligjore të vlerësimit financiar të vendimeve për kompensim, subjektet e shpronësuara janë kompensuar fizikisht më tepër me sipërfaqen totale prej 71408m2 (7,14 ha) arë .
-Në 2 raste u konstatua se ka marrë vendime për kompensim financiar në vlerën 94,762,840 lekë dhe kompensim fizik me sipërfaqen 45227.5m2 arë, mbi bazën e një shkrese pa vulë, që i referohet vendimit të pretenduar. Këto shkresa nuk kanë emërtimin Vendim, nuk kanë nr. dhe as datën e vendimit të pretenduar, nuk dihet se cilët kanë qenë anëtarët e KKKP të cilët kanë marrë vendimin, si dhe mungon pjesa arsyetuese. Pra, nuk kemi të bëjmë me vendim të KKKP sepse nuk kanë elementët e formës dhe përmbajtjes së vendimit, e mbi të gjitha i mungon vula si mjet identifikues dhe ligjërues i vendimeve të marra nga ish-KKKP dhe pjesa arsyetuese. Për pasojë, vendimet për kompensim financiar të bërë nga ATP, në mungesë të vendimeve të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronarëve, pra dokumentit ligjor mbi të cilin ATP mundet të japë vendim për kompensimin financiar dhe vlera prej 94,762,840 lekë do të konsiderohet si efekt financiar negativ në fondin e kompensimit të ish-pronarëve. Këto veprime janë në kundërshtim me ligjin nr.133/2015, datë 5.12.2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” dhe VKM Nr.223, datë 23.3.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”.
-Në 10 raste u konstatua se ka bërë përllogaritje të kompensimit të subjekteve të shpronësuara në vlerën totale prej 350,189,095 lekë mbi bazën e vlerësimit financiar të vendimeve përfundimtare të bëra për zërin kadastral “Truall”, dhe jo sipas zërit kadastral që prona ka patur në kohën e shpronësimit. ATP nuk ka vlerësuar financiarisht pronën e njohur për kompensim, në bazë të zërit kadastral që ka patur prona në kohën e shpronësimit, duke shmangur procedurën e rregullt ligjore për identifikimin e llojit të pasurisë në kohën e shpronësimit (mund të ketë qenë tokë bujqësore, pyll, kullotë etj.) Vendimet për kompensim janë marrë në
mungesë të dokumentit të shpronësimit për sipërfaqet e kompensuara mbi bazën e të cilit do të përcaktohej koha e shpronësimit, si dhe zëri kadastral i pronës në kohën e shpronësimit.
Në rastet kur ATP në pamundësi për të verifikuar kohën e saktë të shpronësimit me pa të drejtë, i është referuar hartës së viteve 1937-1938, nga verifikimi i së cilës, realisht ka qenë i pamundur përcaktimi i zërit kadastral. Këto veprime janë kryer në kundërshtim me ligjin nr.133/2015, datë 5.12.2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” dhe pikën 3, gërma a dhe d të VKM Nr.223, datë 23.3.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave” .
Në 2 raste u konstatua se, si pasojë e moszbatimit të procedurës së rregullt ligjore të vlerësimit financiar të vendimeve për kompensim, subjektet e shpronësuara janë kompensuar fizikisht më tepër me sipërfaqen totale prej 145735.6m2 (14.57 ha) arë. Veprime në kundërshtim me ligjin nr.133/2015, datë 5.12.2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, i ndryshuar dhe VKM Nr.223, datë 23.3.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, i ndryshuar.
-Në 9 raste, për shumën 283,626,509 lekë, sipas vendimeve të ATP-së për kompensim financiar, konstatohet se nga verfikimi i hartës dixhitale, pronat, për të cilat është bërë kompensimi, ndodhen jashtë vijave kufizuese (vija e verdhë) të hartës e cila është marrë si referencë për kohën e shpronësimit.
Vlera prej 283,626,509 lekë, përfaqëson diferencën ndërmjet vlerës së llogaritur për kompensim financiar e fizik të sipërfaqes “Truall” dhe vlerës që duhej llogaritur sipas çmimit minimal të tokës dhe tokës “Arë”, rrjedhimisht nuk është zbatuar procedura e saktë e llogaritjes sipas pikës 3, gërma “d” të VKM nr.223, datë 23.3.2016.
-Ka bërë rivlerësim të vendimeve administrative të formës së prerë të cilët kanë vendosur kompensimin financiar, duke rritur vlerën e kompensimit me 7,428,000 lekë për shkak të çmimit më të lartë të truallit për m2 në disa Zona Kadastrale. Ky veprim bie në kundërshtim të Vendimit nr.1, datë 16.01.2017 të Gjykatës Kushtetuese ku citohet “Gjykata Kushtetuese, lidhur me dispozitat që parashikojnë që vendimet gjyqësore ose administrative të formës së prerë, të cilat parashikojnë dhënien e një mase të caktuar kompensimi, vlerëson se ato ngrenë çështjen e “pritshmërisë legjitime”, por sipas ligjit nuk do t’i nënshtrohen rivlerësimit.” dhe qëndrimit të Komisionit të Venecias nr.861/2016, CDL-AD (2016) 023, i cili shprehet “Vendimet gjyqësore ose administrative të formës së prerë, të cilat parashikojnë dhënien e një mase të caktuar kompensimi… nuk do t’í nënshtrohen rivlerësimit sipas ligjit nr.133/2015.”
-Nuk ka vepruar lidhur me bashkërendimin e veprimtarisë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional të ATP Tiranë me Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike pranë Ministrisë së Financave, për objektet të cilave u është njohur e drejta e parablerjes, nëse janë privatizuar apo jo.
Nuk ka kërkuar informacion nga ZVRPP-të përkatëse, DAMT-të e Këshilleve të Qarqeve apo organet e tjera përkatëse të Njësive të vetëqeverisjes vendore, nëse trashëgimtarët e subjektit të shpronësuar kanë të regjistruar apo kanë përfituar tokë bujqësore sipas ligjit nr.7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”. Gjithashtu nuk është kërkuar informacion dhe nuk ka ndonjë vërtetim nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore përkatëse, nëse në lidhje me çështjen ka apo jo ndonjë vendim të formës së prerë apo është në proces gjyqësor për pronën e përfituar me vendim të ish-KKKP-ve përkatëse. Ky veprim bie në kundërshtim me nenin 36 të ligjit nr.133/2015, datë 5.12.2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, i ndryshuar.
Janë 145 dosje për të cilat janë dërguar shkresat për “Plotësim dokumentacioni” subjekteve përkatëse, dhe të cilave u kanë kaluar afatet ligjore të paraqitjes së dokumentacionit plotësues tekniko-ligjor nga subjektet.
Për z. O.RR. me detyrë ish-nëdrejtor i Përgjithshëm dhe ish-Drejtor i Kompensimit, i cili në mospërmbushje të detyrës së tij funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, KLSH ka përcjellë me shkresë nr.327/15 prot., datë 06.10.2018 indicie për kallëzim penal Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse.
Shenim :Në faqen e WEB-it të KLSH-së do te gjeni Vendimin e plotë.