MENU
klinika

SPAK e akuzon për korrupsion

Gjykata e Posaçme vendos sot fatin e Fredi Belerit

14.09.2023 - 10:11

Në Gjykatën e Posaçme zhvillohet këtë të enjte seanca e parë ndaj Fredi Belerit.

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës pritet që të jetë i pranishëm në seancë. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e akuzon Belerin për korrupsion zgjedhor.

Beleri ndodhet në paraburgim që nga data 12 Maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale i arrestuar me akuzën e blerjes së votave tek i infiltruari i policisë.

Në seancën paraprake do vendoset nëse dosja hetimore e Belerit e përgatitur nga Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim do të kalojë apo jo për gjykim.

Pritet që seancën e parë gjyqësore ndaj Belerit ta monitorojë edhe një delegacion nga Dhoma e Avokatëve të Athinës.

Nga hetimet e kryera nga SPAK rezulton se Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat. Vetë shtetasit Arsen Rama, Beleri i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro.

Beleri bisedon me informatorin dhe i premton 50 euro për 13 vota që të nesërmen dhe 300 euro për vetë informatorin nëse votat do të dilnin në kuti. Informatori i thotë që të mos shqetësohet se i ka votat e sigurta dhe se ai do të dalë garant për to.

Ekziston mundësia që GJKKO ta kthejë dosjen për hetime të thelluara ose ta pushojë atë, por kjo ka pak gjasa të ndodhë sepse përgjimet që kanë rrjedhur në media nga hetimet, tregojnë se Fredi Beleri dhe bashkëpunëtori i tij Pandeli Kokaveshi janë përfshirë në veprime të paligjshme për blerjen e votave.