Zbardhen detaje të reja nga megaoperacioni anti-drogë i zhvilluar prej ditës së djeshme në mbarë vendin.
Bëhet me dije se kanabisi që u sekuestrua në Tiranë, vinte nga Kanadaja me postë.
Mësohet se kanabisi ka ardhur me postë, i fshehur në konserva peshku, ku një konservë përmbante 6 boçe kanabisi. Deri më tani në mbarë vendin janë arrestuar mbi 200 persona, ku prej tyre, 112 janë vetëm në Tiranë.
Po ashtu, deri në këto momente, raportohet të jenë sekuestruar mbi 3 kg kokainë. Ndërkohë gjatë operacionit është konstatuar edhe një lloj droge e re e cila vinte nga jashtë, kryesisht me postë.
Burimet thonë gjithashtu se janë kapur qindra doza kanabisi dhe janë sekuestruar shuma të mëdha parash. Në këtë veprimtari kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, mësohet se ka edhe vajza të përfshira.
Përveç Tiranës, operacioni është zhvilluar edhe në qytete të tjera ku forcat e RENEA dhe FNSH kanë kryer kontrolle në Fier, Durrës e Korçë.
Hetimet për rastin kanë nisur afro 6 muaj më parë. Autoritetet mësohet e kanë dokumentuar këtë aktivitet kriminal me përgjime, duke i mbajtur në vëzhgim anëtarët dhe një pjesë edhe me blerje të stimuluara. Ndërkohë gjatë operacionit është konstatuar edhe një lloj droge e re e cila vinte nga jashtë, kryesisht me postë, një lloj droge xhelatinoze.