Katër persona kanë rënë në pranga dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë në Kukës për drogë.
Policia njofton se arrestimi i tyre vjen pas zbulimit të një lokali në Krumë, të përshtatur për përdorim dhe shitje në doza të lëndës narkotike kanabis si edhe për organizim të lojërave të fatit.
Të arrestuarit janë të moshës 22, 23, 21 dhe 20 vjeç, të gjithë banues në Krumë. Lokali mësohet se ishte marrë me qira nga 22 vjeçari dhe, pas kontrolleve që ushtroi policia, u konstatua se ishte përshtatur për përdorim dhe shitje të cannabis sativës, si dhe për organizim të lojërave të fatit.
Nga ky ambient, me cilësinë e provës materiale, u sekuestruan një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në disa doza të gatshme për shitje, një valixhe me sende për lojën “Poker” dhe 4 celularë. Në gjendje të lirë u procedua edhe një 25 vjeçar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Ky kontroll erdhi në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar antidrogë të koduar “Tempulli”.