Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane si dhe Federata Panashqiptare e Amerikës Vatra, por edhe Organizata Rinore Rrënjët Shqiptare-Albanian Roots kanë shprehur mbështetje maksimale për protestën e studentëve shqiptarë, të cilët prej 15 ditësh presin plotësimin e 8 pikave nga shefi i qeverisë, Edi Rama.
Mes tjerash, këto organizma i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare të plotësojë menjëherë pikat e studentëve, pasi siç shprehen ata, shqetësimet e parashtruara prej tyre janë tërësisht legjitime dhe të realizueshme.
“Federat Panashqiptare e Amerikës Vatra dhe Organizata Rinore “Rrënjët Shqiptare-Albanian Roots mbështesin pa asnjë rezervë protesta studentore në Shqipëri, si shprehja më sublime kundër varfërisë që ka kapur për fyti familjet shqiptare.
Studentët janë viktimat e para të mungesës së shpresës për një të ardhme në Shqipëri, shtresa më vitale dhe e sinqertë, ndaj kjo protestë është kambanë më e fortë për krizën e përgjithshme Shoqërore, gjendja e mjeruar ekonomike dhe gjendjen e pashpresë ku ndodhet sot vendi.
Federat Panashqiptare e Amerikës Vatra dhe Organizata Rinore “Rrënjët Shqiptare-Albanian Roots janë dhe do të jenë deri në fund në mbështetje të parezervë të studentëve dhe i bëjnë thirrje Qeverisë Shqiptare që të plotësojë menjëherë kërkesat legjitime të tyre. Fitorja do të jetë me studentët! Nju Jork, 11 Dhjetor 2018”, thuhet në qëndrimin e tyre.