MENU
klinika

Po firojnë edhe bukëpjekësit

Furrat vuajnë mungesën e specialistëve si pasojë e emigracionit

17.09.2023 - 16:52

Mungesën e fuqisë punëtore po e vuajnë edhe furrat e bukës. Gëzim Peshkëpia nga Shoqata e Prodhuesve të Bukës, Brumërave dhe Pastiçerive shprehet se mungesa është në të gjitha nivelet, që nga ai i pastrimit e deri te specialistët.

GËZIM PESHKËPIA

SHOQATA E PRODHUESVE TË BUKËS DHE PASTIÇERIVE

“Çdo furrë buke, çdo pastiçeri ka nevojë për shitëse, punonjëse pastrimi, ndihmës në sektorin e bukës dhe pastiçerisë dhe më pas pastiçierë dhe bukëbërës që janë specialist të mirëfilltë po mungojnë shumë, po largohen shumë jashtë vendit. Këta njerëz që largohen marrin me vete edhe njohuritë, shkollën, ata janë përgatitur këtu për zanatin e tyre dhe krijohet një boshllëk shumë i madh për këta specialistë.”

Në këto kushte, vendet vakante në furrat e bukës po plotësohen në dy mënyra:

GËZIM PESHKËPIA

SHOQATA E PRODHUESVE TË BUKËS DHE PASTIÇERIVE

“Po lëvizim në drejtim të kontingjentit që është brenda vendit, veçanërisht në zonat e vogla, rurale, ka njerëz që duan të punojnë, po i përgatisim. Por në të njëjtën kohë, po i drejtohemi edhe tregut të huaj për të marrë kontingjente të huaj, mund të marrim punonjës të pastrimit dhe kategorinë e mesme të specialistëve.”

Në rastin kur punëtorët do të merren nga vendet e Lindjes së Mesme, bizneset do të paguajnë një faturë mbi 30% më të lartë në krahasim me koston financiare që ka një punonjës vendas. Kjo sepse bizneset duhet të sigurojnë edhe strehimin për ta, ndërsa paga e tyre është edhe rreth 20% më e lartë se e punëtorëve në vend.